Kryetarët e komunave të Kosovës thirrje qeverisë: Mos investo veç aty ku udhëheq LVV

0

Qeverisë po i kërkohet që t’i trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë dhe të mos i orientojë investimet vetëm në ato komuna ku udhëheq Lëvizja Vetëvendosje. Kosovapress raporton se trajtimi i ujërave të zeza, shtrirja e rrjetit të ujësjellësit, investimet në infrastrukturë janë disa nga projektet që kërkojnë mbështetje me të madhe nga ana e Qeverisë.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat duhet të trajtohen të gjitha në mënyrë të njëjtë dhe jo të shikohen në bazë të përkatësisë politike. Ai thotë se përkrahja e nivelit lokal nga ana e qeverisë është tejet e rëndësishme për realizimin e shumë projekteve prej të cilave përfitojnë qytetarët.

“Qeveria e ka për obligim t’i trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë politike apo përkatësinë etnike. Sa i përket ndarjeve buxhetore tek granti i përgjithshëm ekzistojnë kriteret, gjithashtu edhe tek granti i shëndetësisë, i arsimit, mirëpo hilja më e madhe ka qenë nga ministritë e linjës të cilët kanë investuar nëpër komuna duke marrë parasysh më shumë kritere politike dhe etnike se sa ato profesionale. Për këtë arsye kemi tentuar gjithnjë që kritere të tilla të mos parashihen më me legjislacionin në fuqi dhe kemi kërkuar që të themelohet një grant i cili të gjitha këto mjete do t’i kanalizojë përmes atij granti në mënyrë që të gjitha komunat në mënyrë të barabartë të përfitojnë, e jo që të investojnë në disa komuna për shkak të përkatësisë politike dhe në disa raste etnike dhe jo t’i trajtojnë të gjitha komunat barabartë”,– thotë ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se pret që niveli qendror t’i ofrojë përkrahje për realizimin e projekteve që ka paraparë gjatë katër viteve të ardhshme.

“Pavarësisht faktit se në qeveri është një parti tjetër e niveli lokal është një parti tjetër, për mua kjo nuk është pengesë dhe unë pres një qasje konstruktive nga ana e të gjithë ministrave. Nga ana ime në asnjë moment nuk do të mungojë gatishmëria për bashkëpunim, sepse mendoj që qytetarëve nuk ju intereson cila parti ku është, por ju intereson realizimi i projekteve që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së jetës së tyre. Sinqerisht unë pres bashkëpunim dhe mendoj që nuk ka asnjë arsye të mos bashkëpunojmë dhe jam optimist në këtë drejtim. Prizreni është qytet i rëndësishëm për Kosovën, është qyteti i dytë për nga çdo kriter, qytet që ka reputacion edhe jashtë territorit të Kosovës, prandaj në këtë aspekt nuk pres diskriminim, pres favorizim të qytetit të Prizrenit”,– thotë ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, thotë se shumë projekte mund të realizohen vetëm falë mbështetjes së qeverisë.

“Qeveria e Kosovës e mbanë pjesën më të madhe të buxhetit dhe detyrimisht që duhet të investohet në komuna për t’u përmbyllur infrastruktura. Ne duhet të shohim, buxheti që ka kaluar tash nuk lënë shumë për të shpresuar, mirëpo po besojmë që Qeveria ka mundësi të tjera që të gjejë fonde, të krijojë grante të llojeve të tjera në mënyrë që komunat t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj qytetarëve. Por në fund të fundit edhe Qeveria t’i kryej obligimet e veta ndaj qytetarëve, për shkak se është Qeveri e të gjithë qytetarëve dhe si e tillë duhet edhe të sillet”, -shprehet Gjini.

Edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, thekson se pret që të gjitha projektet të cilat janë të domosdoshme për këtë komunë të marrin miratimin e nivelit qendror.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu