TIRANË- Shoqëria Civile kërkon drejtësi për shumë nga ngjarjet e ndodhura në vendin tonë, por që nuk janë zbardhur. Me pankarta në duar, përfaqësues të Shoqërisë Civile dolën përpara Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
“Ku është floriri i Kërrabës?”; “Pse u lejua vizita e kryeministrit të Greqisë për të vizituar Himarën?”; “Përse nuk kërkon kryeministri i Shqipërisë të vizitojë Çamërinë?”; “Kush e pengon votën e diasporës?”; “Kush ja fali Detin Greqisë?”; “Pse e vranë Kosta Trebickën?”; “Kush e vrau Remzi Hoxhën, e duam trupin”, janë disa prej mesazheve që shkruhen në pankartat e tyre.
Unioni i shoqërisë civile dhe këshillit organizativ të Kuvendit Kombëtar Shqiptar, përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se si objekt proteste kanë mbështetjen e punës së së Institucioneve të drejtësisë e veçanërisht të Strukturës Antikorrupsion, në drejtim të hetimit, zbulimit e ndëshkimit të krimeve, të krerëve më të lartë të politikës e drejtësisë shqiptare, në këto 30 vite demokraci.
“Objekt i kësaj proteste është nxitja e mbështetja e punës së Institucioneve të drejtësisë e veçanërisht të Strukturës Antikorrupsion, në drejtim të hetimit, zbulimit e ndëshkimit të krimeve, të krerëve më të lartë të politikës e drejtësisë shqiptare, në këto 30 vite demokraci. Qytetarët shqiptarë kërkojnë me insistim, që ata politikanë që kanë vjedhur e kanë vënë dorë mbi pasurinë e popullit, të hetohen, të çohen në sallën e gjyqit, tu konfiskohet pasuria e të dënohen për fajet që i kanë bërë popullit shqiptar,”- thuhet në njoftim.