Kufizohen udhëtimet për Ballkanin

0

Vendet e Ballkanit dhe shtetet europiane kanë ashpërsuar masat për udhëtarët nga rajoni teksa rriten rastet me covid-19.

Shqipëria po aplikon masat më strikte që prej fillimit të pandemisë, duke e bërë me detyrim konfirmimin e kryerjes së vaksinës nga ana e personave ose paraqitjen e një testi serologjik, PCR apo vërtetimin për shërimin nga sëmundja.

Mali i Zi do zbatojë rregulla të ngjashme nga dita e martë dhe për të vaksinuarit ka kushtin që të jenë imunizuar të paktën 14 ditë më parë.

Vaksinimi i plotë kërkohet edhe nga autoritetet maqedonase e kosovare, ndërkohë nga dita e mërkurë, Serbia do të futet në listën e kuqe të Bullgarisë, ku hyrja do të lejohet vetëm për të vaksinuarit dhe për qytetarët e BE-së, Zonës Ekonomike Europiane ose Zvicrës.

Për sa i përket udhëtimeve për në Europën Perëndimore, Gjermania, Britania dhe Italia kanë masat më rigoroze për sa i përket Ballkanit.

Gjermania i konsideron të gjitha vendet e rajonit me situatë të rënduar epidemiologjike, ndaj pasagjerëve u kërkohet të plotësojnë paraprakisht një formular nga interneti për të provuar se janë të vaksinuar apo disponojnë një test kovidi negativ, ose e kanë të detyrueshëm qëndrimin 10 ditë në karantinë shtëpiake.

Britania e ka shtuar Malin e Zi në listën e kuqe, që nënkupton se udhëtimet nga Podgorica lejohen vetëm për shtetasit britanikë, irlandezë ose ata që kanë të drejtë banimi në Britani.

Italia, ndërkaq, lejon udhëtimet nga Ballkani Perëndimor por pasagjerëve u kërkohet një formular i vendndohjes në internet dhe fizikisht, si edhe që të vërtetojnë se janë të vaksinuar por disponojnë edhe tamponin negativ.

Bashkimi Europian vlerësoi javën e kaluar se Shqipëria ka një situatë të përkeqësuar me treguesit e kovidit-19, ndaj u rekomandoi vendeve të shtojnë masat për udhëtarët në kufi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu