Ditën e sotme vajza e Bes Kallakut dhe Xhensila Myrtezajt feston ditëlindjen. Ajka bën 6 vjeç dhe në këtë ditë të veçantë nuk kanë munguar urimet publike nga dy artistët. Për herë të parë ata festojnë të ndarë, pasi siç dihet tanimë çifti është në proces divorci.
Besi shkroi një urim shumë të ndjerë që në mesnatë, kurse Xhensila ka zgjedhur fjalë më të pakta, sigurisht shumë kuptimplota. Teksa ka publikuar disa foto me Ajkën ajo shkruan:
“Ti je muzika më e bukur e jetës sime. Edhe 100 dashuri hyjnore.Ti dhe Zoti e di që mama bën për ty gjithçka, jo me fjalë por me vepra. Jetoj vetëm për ty.”
Ndërkohë që Besi në urimin e tij ishte treguar më i ndjerë me fjalët, teksa shkruante: “Urime 6-vjetorin e lindjes Ajka e tokës, Ajka qiellit, dritë e hënës, dritë e diellit! Gëzuar gjashtë vjetorin o lule e bukur e gjakut tim! Njeriu nuk e ndien ikjen e viteve nëpërmjet vetes, por nëpërmjet rritjes së fëmijëve. Kur të shoh që rritesh, ndiej ikjen e viteve, por jo edhe humbjen e tyre. Jeta është krejt surpriza, krejt të papritura, apo siç thonë poetët, erërat nuk fryjnë gjithmonë siç duan barkat, por pikërisht këtu qëndron edhe fuqia e përballjes me sprovat.
Kur ti i kërkon Zotit të të japë fuqi, duhet të dish se Ai do të të përballë me sprovat nëpërmjet të cilave do ta dëshmosh fuqinë e Tij. Kur njerëzit janë të gëzuar, duken të gjithë njëlloj, dhe është pikërisht sprova ajo që do t’i dallojë. Nuk të premtoj gjithçka, por në gjithçka do të jem pranë teje dhe Amenit.
Ashtu siç isha dhe jam përfillës për secilin rreth meje, do të jem edhe për ju, veçse juve do t’ju kem edhe kur s’do të jem. Ju dua me fuqinë e një mijë diejve. Paçi Bekimet Hyjnore jastëk ëndrrash dhe zgjimesh! Me dashuri, babi Bes”.