TIRANE – Kombëtarja shqiptare e futbollit është e fundit, sa i përket përzgjedhjes së ndeshjeve miqësore të muajit mars, nga të gjitha skuadrat e kualifikuara për në finalet e “Gjermani 2024”.
Data e fundit për dorëzimin e listës së ndeshjeve miqësore ishte 16 marsi, ndërkohë që drejtuesit e ekipit kuqezi kërkuan edhe 10 ditë kohë shtesë, në përpjekje për të gjetur kundërshtarin e duhur. Që do t’i shërbejë trajnerit dhe ekipit për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e para të finaleve me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.
Pikërisht në ditën e sotme kuqezinjtë kanë zbardhur kundërshtarin e parë që do të zhvillojnë miqësore në muajin mars, një hapësirë datash zyrtare kjo e FIFA-s për ndeshje kontrolli në të gjtihë Botën.
Shqipëria do të udhëtojë drejt Suedisë për këtë ndeshje miqësore atje, më 25 mars, një ndeshje që do të zhvillohet në stadiumin “Friends Arena” në Stokholm, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar orari i këtij takimi.
Ndërkohë na mbetet edhe një kundërshtar tjetër, i cili ende nuk është zbardhur nga stafi i Kombëtares, por me gjasë do të jetë një ndeshje që do të luhet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, si një takim i fundit për ekipin kuqezi përpara tifozerisë së tij të zjarrtë, para fillimit të eliminatoreve në qershor.
Sa i përket miqësores me Suedinë, kjo do të jetë hera e gjashtë që dy përfaqësueset do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën Shqipëria dhe Suedia janë përballur vetëm një herë në një ndeshje miqësore, që është fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 2-1, ndërkohë në 4 ndeshjet e tjera zyrtare ka fituar skuadra suedeze.