Kur “The Rock” la pas Barack Obamën, aktori rrëfen momentin kur publikoi i pari lajmin për vdekjen e Bin Ladenit

0

Aktori dhe ish-mundësi profesionist Dwayne “The Rock” Johnson ka zbuluar se ishte ai që publikoi i pari lajmin për vdekjen e Osama bin Ladenit në maj të vitit 2011, disa minuta përpara se presidenti amerikan i asaj kohe, Barack Obama, ta konfirmonte zyrtarisht ngjarjen.

Në një intervistë për podcastin Awards Chatter të The Hollywood Reporter, Johnson tregoi se lajmin e mori nga një “burim shumë i besueshëm” ndërsa ndodhej në hotel, duke u përgatitur për të festuar ditëlindjen e tij.

Sipas tij, informacioni për eliminimin e liderit të al-Kaidës erdhi përmes kontakteve të tij me forcat speciale amerikane, përfshirë anëtarë të njohur të njësisë elitare SEAL Team Six – grupi që kreu operacionin ndaj Bin Ladenit.

Pasi mori njoftimin, Johnson e ndau menjëherë me ndjekësit e tij në Twitter, duke shkruar: “Sapo mora një lajm që do të trondisë botën. Toka e të lirëve… shtëpia e trimave. JASHTËZAKONISHT KRENAR QË JAM AMERIKAN.”

Postimi i tij u përhap me shpejtësi në mbarë botën, ndërsa konfirmimi nga Shtëpia e Bardhë erdhi vetëm pak minuta më vonë. Johnson theksoi se nuk kishte dashur të “dalë para” presidentit Obama, por se gjithçka ndodhi rastësisht, për shkak se informacionin e kishte marrë pak më herët.

Ky episod, sipas shumë vëzhguesve, vetëm sa e forcoi më tej imazhin e “The Rock” si një figurë me lidhje të ngushta me qarqet ushtarake dhe politike të Shteteve të Bashkuara.