Pushimet e shkurtra janë kthyer tashmë në një trend, një planifikim udhëtimi për 48 orë në një destinacion të caktuar apo edhe disa ditë në një shtet dhe duke eksploruar disa vende të njohura po ndiqet shumë nga adhuruesit e udhëtimeve. Por cili është trendi i ardhshëm i këtyre udhëtimeve?
Sipas QuoteZone, mund të jetë pikërisht një pushim i shkurtër nëpër vreshta dhe për këtë arsye faqja e sigurimeve ka zhvilluar një indeks për të identifikuar se cilat rajone të famshme të prodhimit të verës janë më të mirat për një pushim të këndshëm. Analiza e tyre përfshiu koston mesatare të një turi në kantinë, një qëndrimi në hotel për tre netë dhe një shishe vere, si edhe kushtet e motit dhe çmimet për cilësinë e verës ose vetë kantinën, dhe zbuloi se La Rioja zë vendin e parë.
Është rajoni më i madh dhe ndoshta më ikonik i verës në Spanjë, që prodhon verë prej 2,000 vitesh, me 600 kantina dhe një sipërfaqe mbresëlënëse prej 65,000 hektarësh me vreshta. Është gjithashtu një rajon shumë i dekoruar, vitin e kaluar kryesoi në Decanter World Wine Awards dhe World’s Best Vineyards (Çmimet Botërore të Verës Decanter dhe Vreshtat më të Mira në Botë).
Por La Rioja spikati edhe për shkak të motit të saj të mrekullueshëm. Ka shumë pak gjasa për shi në këtë pjesë të Spanjës verilindore, falë mbrojtjes që merr nga Atlantiku në veri dhe perëndim nga Sierra Cantabria dhe nga Mesdheu në jug nga Sierras de la Demanda dhe de Cameros.
Është gjithashtu edhe me çmime të përballueshme. Rajoni ka një ndikim të fortë francez, falë një bumi tregtar me tregtarët nga Bordoja gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, por në La Rioja mund të prisni të paguani rreth 22 £ për një shishe verë dhe vetëm 19 £ për një tur në kantinë. Në Bordo, kjo është më shumë, rreth 34.36 £ dhe 15.20 £.
Dy rajone italiane, Piemontedhe Toskana, zunë vendin e dytë dhe të tretë. Më poshtë janë të renditur 10 rajonet më të mira të verës në Europë.
1.La Rioja, Spanjë
2.Piemonte, Itali
3.Toskanë, Itali
4.Bordeaux, Francë
5.Lugina Douro, Portugali
6.Lugina Rona, Francë
7.Champagne, Francë
8.Burgonja, Francë
9.Tokaj, Hungari
10.Mozel, Gjermani