Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimin që mbajti sot në mëngjes me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Ai tha se në takim ka theksuar që është e nevojshme që marrëveshja të zbatohet në tërësi, derisa ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për shkeljet e saj.
“Mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak në zyrat tona të qeverisë. Theksova nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Ndërkaq, Lajçak në një konferencë për media pas takimit me Kurtin, tha se qëllimi i vizitës së tij është që te dakordohen për hapat e ardhshëm të dialogut.
Ai tregoi se do të ketë një takim në Bruksel Bislimi-Petkoviq, derisa njoftoi se pas Prishtinës do të shkojë edhe në veri të vendit për të kuptuar situatën atje.
“Ne kemi marrëveshjen dhe aneksin, prandaj duhet të kemi një mirëkuptim të qartë të hapit të parë, të dytë dhe të tretë. Ky është qëllimi. Në këtë pasdite do të shkoj edhe në veri të Kosovës. Dua të kem një pikëpamje të dorës së parë të situatës atje dhe shpresoj që të ketë një zgjidhje politike për t’u fokusuar plotësisht në normalizim”.