Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendosja e reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme nuk është dëshirë e Kosovës, por imponim nga Serbia.
Duke thënë detaje për aksionin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit, kryeministri Kurti tha se nuk ka asnjë qëllim për cenimin e lëvizjes së qytetarëve serbë në Kosovë, e as destabilizim, por thjesht respektim të marrëveshjes për të cilën është pajtuar edhe Serbia në Bruksel për targat e veturave.
“Tabelat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër. Këto janë tabelat tona që janë të përkohshme për ata që vijnë me tabela të tjera, ndërsa ka 10 vjet që qytetarët tanë paguajnë për këto tabela që janë poshtë. Ne nuk i duam as këto, as këto, mirëpo derisa të këtë këso, do të ketë edhe këso”, tha ai.
Sipas tij, masat e ndërmarra sot janë ligjore dhe në pajtueshmëri të plotë me afatin e paraparë për heqjen e targave KS.
“Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfiskimin e të gjitha tabelave ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës si kurse edhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Pavarësisht çfarë nacionaliteti janë poseduesit e makinave me tabela jovalide ato po konfiskohen. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Kosovës, automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme… si kryeministër u siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshje të lirë nuk janë drejtuar kundrejt qytetarëve serbë. Ato nuk kanë qëllim cenimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve serb, apo provokojnë destabilizimin”, tha ai.