Kurti: Procesi i Berlinit i mjaftueshëm, s’ka nevojë për variante të tjera

0

Përballe thirrjes së kancelares Merkel për bashkim të vendeve të rajonit në nismën e Ballkanit të Hapur, Albin Kurti nuk tërhiqet nga qëndrimi që Kosova do të vazhdojë të qëndrojë jashtë.  Me Edi Ramën, tha se ruan marrëdhënie të mira, por ndahen vetëm për qasjen ndaj Beogradit.

Kosova nuk do të jetë pjesë e “Open Balkan” përsa kohë që BE është jashtë ndërmjetësimit të kësaj nisme.

Kryeministri Albin Kurti dha përgjigje të prerë menjëherë pas takimit me kancelaren Angela Merkel në Tiranë, duke theksuar se Procesi i Berlinit është i mjaftueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kurti: Unë po ua tregoj qëndrimin tim, të cilin po ashtu e thash edhe aty, e ky është që Procesi i Berlinit është i nevojshëm, por njëkohësisht edhe i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera. Ballkani, jo që nuk është tri shtete, por nuk është as gjashtë shtete. Ballkani është së paku 12 shtete, e Ballkani perëndimor me këto 6 shtete e ka Procesin e Berlinit. Iniciativa rajonale, ne nuk besojmë se duhet të bëhen pa BE-në brenda. BE-ja duhet të jetë aty. Dallimi në mes procesit të Berlinit, edhe Ballkanit të hapur, është që në të dytën se keni BE-në .

Albin Kurti thotë ka bashkëpunim e marrëdhënie të mira se mes tij dhe kryeministrit Rama, edhe pse nisma “Open Balkan” i ndan në qëndrime.

Kurti: Unë nuk e di për çfarë teorie konspiracioni është fjala këtu. A e keni pyetur për cilën teori? Është dashur të pyesni. Unë nuk e di se për çfarë teorie konspiracioni bëhet fjalë. Unë po ua tregoj qëndrimin tim. Ne kemi pa numër gjëra që na afrojnë dhe na bashkojnë.

Nga ndërkombëtarët kërkoi që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë, për të cilën tha se duhet të ndryshojë Kushtetutën e të njohë Kosovën si shtet i pavarur.

Kurti: Për raporte normale në Ballkanin perëndimor nuk duhet të ndryshoj Kosova, duhet të ndryshojë Serbia. Nuk bën trysnia të jetë mbi Kosovën, por mi Serbinë dhe bëjnë gabim ata të cilët mundohen që ta ndërtojnë një trysni mbi Kosovën. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë, e cila I mohon krimet dhe e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Lidhur me krimet gjatë luftës, kryeministri i Kosovës u zotua se do të vendosë drejtësi.

Kurti: Krimet e kryera gjatë luftës janë një gjë që jo vetëm nuk do ti harrojmë kurrë por njëkohësisht nuk do të ndalemi asnjëherë për të kërkuar drejtësi për to.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu