Kurti sqaron marrëveshjen me SHBA: Kosova do të pranojë deri në 50 emigrantë me qëllim riatdhesimin e tyre

0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, reagoi në rrjetet sociale pasi qeveria e tij vendosi që të pranojë emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të”, tha Kurti.

Ai sqaron se sipas këtij vendimi, Kosova brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në “50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e origjinës”.

“Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”, sqaroi Kurti në Facebook.

Në fund, ai theksoi se SHBA-të janë aleati më i palëkundur i Prishtinës zyrtare dhe “Kosova do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”.

“U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik”, deklaroi Kurti.

Ditën e sotme, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu konfirmoi se u pranua kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrjen e emigrantëve të paligjshëm në pritje të riatdhesimit.

Negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor për marrjen e emigrantëve, Departamenti Amerikan i Shtetit i konfirmoi javën e kaluar.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se administrata e Presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të dëbuar.

Qeveria amerikane është angazhuar në një fushatë dëbimesh të mijëra emigrantëve nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua.

Më herët, Kosova është shprehur e gatshme të negociojë edhe me Mbretërinë e Bashkuar për ngritjen e qendrave të kthimit.

Kosova ka aktualisht një marrëveshje me Danimarkën për dhënien me qira të 300 qelive të burgut të Gjilanit për të strehuar të dënuar të huaj në këmbim të 200 milionë Eurove.