Ebën zemrën të rrahë fort, sjell flutura në stomak dhe është një shpërqendrim i pandërprerë për mendjen, por sipas një studimi të ri, kjo ndjenjë që e quajmë dashuri është diçka në të cilën burrat bien më shpejt sesa gratë. Një ekip studiuesish në Australi dhe Zelandë të Re analizoi të dhënat e një ankete me 808 të rritur. Pjesëmarrësit ishin të moshës midis 18 dhe 25 vjeç dhe të gjithë e përshkruanin veten si të dashuruar aktualisht.
“Studimi përfshin 33 vende të ndryshme në Europë, Amerikën e Veriut dhe Afrikën e Jugut,” thotë antropologu biologjik Adam Bode nga Universiteti Kombëtar Australian (ANU).
“Ne jemi më së shumti të interesuar të dimë nëse seksi biologjik ndikon tek shfaqja, zhvillimi dhe shprehja e dashurisë romantike.”
Pyetjet e përdorura në studim ishin të shumta dhe të detajuara: ato mbulonin kohën dhe intensitetin e të rënit në dashuri, sa herë kishin rënë në dashuri pjesëmarrësit dhe sa të fiksuar ishin pas partnerëve të tyre. Pas përpunimit statistikor, të dhënat treguan se burrat kishin prirjen të binin në dashuri mesatarisht një muaj më shpejt se gratë ndoshta sepse përgjegjësia për të treguar angazhim për të tërhequr një partnere bie më shumë mbi burrat, sugjerojnë studiuesit.
Sipas studimit, burrat bien pak më shpesh në dashuri sesa gratë, por janë pak më pak të përkushtuar. Gratë kishin tendencë të kalonin më shumë kohë duke menduar në mënyrë obsesive për partnerin e tyre dhe ishin pak më intensive romantikisht në dashurinë e tyre. Burrat gjithashtu kishin më shumë gjasa të bien në dashuri para se marrëdhënia të bëhej ‘zyrtare’, me 30 përqind të pjesëmarrësve meshkuj në studim që raportuan këtë kohë krahasuar me më pak se 20 përqind të grave.
“Ky është kërkimi i parë që studion dallimet mes grave dhe burrave që përjetojnë dashurinë romantike, duke përdorur një kampion relativisht të madh ndërkulturor,” thotë Bode.
“Është dëshmia e parë bindëse se gratë dhe burrat dallojnë në disa aspekte të dashurisë romantike.”
Ekipi analizoi gjithashtu shifrat duke marrë parasysh faktorë shtesë që mund të ndikojnë tek ndjenjat tona të dashurisë, duke përfshirë moshën dhe raportin mes burrave dhe grave në vendin e çdo pjesëmarrësi. Shumica e dallimeve u zvogëluan, por gjithsesi mbetën, megjithëse dallimet në përkushtim u zhdukën. Kishte disa gjetje interesante edhe rreth barazisë gjinore, me ata në vendet me barazi më të lartë gjinore që bien në dashuri më rrallë, duke treguar më pak angazhim dhe duke qenë më pak të fiksuar me partnerët e tyre, në përgjithësi.
Kjo sugjeron që normat shoqërore kanë gjithashtu një ndikim në ndjenjat tona të dashurisë, si dhe presionet evolucionare të nevojës për të gjetur një partner dhe për të mbajtur gjallë qënien tonë, diçka që studiuesit janë të etur ta hetojnë më tej. Kërkimi është publikuar në revistën Biology of Sex Differences.