Policia e Matit ka shoqëruar 4 persona si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, që u gjet i pajetë në afërsi të liqenit të Shkopetit.
Të shoqëruarit janë persona që më herët kanë pasur konflikte me viktimën. Ata kanë thënë se problemet që kishin me 23-vjeçarin i kishin mbyllur dhe nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit. Pasi u morën në pyetje për disa orë, u liruan nga policia.
Ekspertiza paraprake ka nxjerrë se 23-vjeçari Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar. Policia i ka përqendruar hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më parë, ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij. Në vendin tonë 23-vjeçari nuk ka precedentë të theksuar kriminal, por i dyshuar dhe hetuar për vjedhje banesash.
Trupi i pajetë i 23-vjeçar u gjet një ditë më parë buzë liqenit të Shkopetit, pas kallëzimit të të atit se kishte humbur kontaktet me të birin. I riu dyshohet se është ndjekur dhe dhunuar. Autorët e paidentifikuar ende, mund ta kenë vrarë të riun përpara se ta hedhin bashkë me automjetin e tij në liqenin e Shkopetit për të fshehur krimin. Dyshimet janë se gjatë kohës që makina binte poshtë, trupi të ketë dalë nga automjeti pak metra pa rënë në ujë.