Nga takimet e Lulzim Bashës me zyrtarët e lartë amerikanë, ai me Filip Riker, zv.ndihmës sekretar i shtetit është pa asnjë dyshim më i mistershmi dhe më i rëndësishmi njëkohësisht, për nga rrjedha që morën ngjarjet në Partinë Demokratike. Basha pretendon se në bisedën me Riker, ky i fundit i zbuloi disa informacione sekret për Sali Berishën, që ai nuk do t’i thoshte kurrë, por që më pas e detyruan ta përjashtojë atë nga grupi i PD, duke krijuar një çarje të paprecedent të partisë. Për atë bisedë Basha tha se kishte dëshmitar Gazmend Bardhin dhe Jorida Tabakun.
Ndërkohë në takimin me pasuesin e Riker në detyrë, pra me Gabriel Eskobar, Basha e ka zgjeruar grupin e deputetëve që morën pjesë në takim. Siç duket nga foto, në tryezë nga delegacioni i PD, deputetët që kanë marrë pjesë në takim janë Grida Duma, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Enkelejd Alibeaj dhe Alfred Rushaj.
Vetë Escobar në dalje të takimit nuk e përmendi rastin e Berishës non grata, ndërsa Basha i pyetur nga gazetarët u shpreh se “pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit”