Kush janë 7 ‘të mençurit’ që formuluan ndryshimet në statusin e PS-së, pasoja për anëtarët që nuk paguajnë kuota

0

Kongresi i Partisë Socialiste që do të mbahet të shtunën, pritet ti hapë rrugën dhe ndryshimeve në statut, që në një rast ‘shpikin’ edhe një strukturë të re, atë të sekretarit ekzekutiv.

Duke iu referuar relacionit të hartuar nga grupi u punës për ndryshimet statutore, sekretari ekzekutiv do të jetë një lloj kancelari në nivel bashkie.

“Sekretariatit ekzekutiv (Kancelari) në nivel bashkie, që është një nga risitë e Statutit, parashikuar për herë të parë, si organ që përzgjidhet nga Sekretariati ekzekutiv i Partisë dhe është përgjegjës për çdo aspekt administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie; i cili përgjigjet njëkohësisht te Kryetari i partisë në Bashki dhe në Sekretariatin Ekzekutiv në selinë qendrore.

Ky funksion i ri do të jetë me kohë të plotë dhe do të përgjigjet për të gjithe anën dokumentare, administrative, kuotizacionin, duke ndjekur dhe raportuar zbatimin e akteve të organeve më të larta të partisë në nivel vendor” shkruhet në relacionin sqarues të ndryshimeve statutore të PS.

Në ndryshimet statutore saktësohen më mirë detyrimet e anëtarëve të partisë në pagesën e kuotave dhe të drejtat që lidhen më to, përshirë dhe pezullimin e përkohshëm apo pamundësinë e zgjedhjes në organe drejtuese kur nuk paguajnë kuotizacionin për një periudhë një-vjeçare.

Kush janë hartuesit e ndryshimeve statutore:

Blendi Klosi;

Blerina Gjylameti

Arben Pëllumbi;

Pandeli Majko;

Klotilda Bushka;

Eridian Salianji;

Alket Hyseni;

Një ndër pikat kryesore të cilat do trajtohen në Kongresin e datës 9 prill është dhe projekt-vendimi i shkarkimit të të gjithë kryetarëve të Partisë Socialiste në të gjitha bashkitë e vendit.

Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese të partisë në çdo bashki sipas parashikimeve, do të zhvillohet në periudhën 1 Maj- 15 Qershor 2022.

Sipas këtij projekt vendimi, hapet rruga për riorganizimin e partisë dhe përgatitjen për fushatën e zgjedhjeve vendore të vitit 2023.

RELACIONI I PLOTË:

Ndryshimet në statut janë diktuar si domosdoshmëri e riorganizimit të Partisë Socialiste pas fitores historike dhe të paprecedentë të zgjedhjeve të vitit 2021, duke bërë që PS të zotërojë mazhorancën qeverisëse për herë të tretë. Qenia gjatë në pushtet e një partie politike, dikton dhe adoptimin e sjelljeve të reja politike për përballimin e sfidave që burojnë nga mandati i tretë qeverisës.

Kjo nënkupton dhe ndryshimin dhe adoptimin e rregullave të reja statutore që krijojnë më shumë fleksibilitet në vendimmarrjet e strukturave drejtuese të partisë në funksion të objektivave elektorale, hapësirë më të madhe për përfshirjen e shumë strukturave apo organizimeve të reja jashtë anëtarësisë tradicionale të PS, me synim përfshirjen e tyre graduale në Partinë Socialiste, siç janë rrjetet rinore të sapo organizuara, apo grupime të tjera me baza moshe, gjinie apo profesioni jashtë organizimit tradicional të PS.

Nga ana tjetër, duke ju referuar procesit të popullimit të të dhënave të anëtarësisë në regjistrin elektronik të partisë, proces që ka mbi 5 muaj që po zhvillohet, është konstatuar dhe fiktivitet apo mangësi serioze në administrimin sic duhet të të dhënave në disa rajone apo degë të partisë, përfshirë dhe çështjet që lidhen me kuotizacionin, dokumentacionin e anëtarësisë, numrin e anëtarëve të OS apo aktivitetin e vetë organizatave.

Kjo dikton nevojën e ngritjes së një strukture të mirëfilltë administrative/ekzekutive në të dyja nivelet si në qendër, detyrë që kryhet tashmë nga Sekratariati Ekzekutiv, ashtu edhe në nivel organizimi politik vendor, degët e partisë në çdo bashki.

Gjithashtu një risi që kërkon koha dhe që formalizon siç duhet një praktikë të konsoliduar me shumë sukses në të dyja zgjedhjet e fundit, ka të bëjë me rolin e funksionin e drejtuesit politik të qarkut si drejtuesi më i lartë politik i gjithë strukturës politike të PS në qark dhe njëkohësisht anëtar kryesie.

Nisur sa më sipër, Kryesia e partisë, pas zgjedhjes së saj në shtator 2021, vendosi rishikimin e statutit aktual të PS duke marrë parasysh edhe sfidat që i përmendëm më lart. Bazuar në Vendimin e datës 15.10.2021 të Kryesisë së Partisë Socialiste, me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm, u ngrit Grupi i Punës për hartimin e platformës për ndryshimet e Statutit. Ky grup koordinohej nga Sekretari i Përgjithshëm dhe përbëhej nga këto anëtarë:

Blendi Klosi;

Blerina Gjylameti

Arben Pëllumbi;

Pandeli Majko;

Klotilda Bushka;

Eridian Salianji;

Alket Hyseni;

Grupi i punës zhvilloi disa mbledhje në të cilat janë diskutuar idetë për përmirësime dhe ndryshime në Statutin ekzistues, si dhe sugjerimet që kanë ardhur nga diskutimet e bëra në Kryesinë e PS dhe në fund ka hartuar këtë Projekt të ripunuar të Statutit të Partisë.

Statuti i Partisë Socialiste është dokumenti bazë ku mbështetet veprimtaria e Partisë, ku rregullohen mënyra e organizimit të Partisë; anëtarësia e saj; marrëdhëniet e saj me organizata të tjera politike e shoqërore shqiptare dhe të huaja; financat e partisë dhe administrimi i tyre.

Statuti aktual vjen si përmirësim i Statutit të miratuar në shkurt të vitit 2020, duke u synuar për një Statut të përmbledhur dhe konciz të përbërë nga 76 nene, por njëkohësisht duke sjellë disa risi organizative në funksion të përshtatjes me nevojat që dikton koha, eksperienca organizative të partive simotra apo me sukses elektoral të provuar.

Në hyrje të Statutit renditen parimet themelore të Partisë Socialiste, të cilat konsiderohen universale, të tilla si: demokracia e brendshme në vendimmarjen e organeve dhe strukturave të partisë; barazia gjinore; liria e shprehjes së mendimit; fshehtësia e votës si një nga parimet kryesore që vjen si rrjedhojë e lirisë së zgjedhjes së lirë; transparenca dhe informimi i publikut etj.

Për sa i përket anëtarësisë në parti, Statuti normon të gjithë procesin dhe rregullat e tij, duke cilësuar të drejtën e çdo personi mbi 16 vjeç që pranon Programin dhe Statutin e partisë, që të bëhet pjesë e partisë si anëtar i saj, me vullnetin e tij të lirë. Në vijim, Statuti rendit në mënyrë jo shteruese të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të partisë; rastet e ndërprerjes së anëtarësisë si dhe masat disiplinore që mund të merren në rast të vërtetimit të shkeljeve të normave të Statutit, Librit të Rregullave dhe Kodit të Etikës.

Në versionin e ri të statutit të përmirësuar është parashikuar edhe detyrimi i organeve drejtuese për tju përgjigjur anëtarëve të partisë për çdo ankesë apo peticion të tyre brenda një afati të mirëpërcaktuar.

Gjithashtu saktësohen më mirë detyrimet e anëtarëve të partisë në pagesën e kuotave dhe të drejtat që lidhen më to, përshirë dhe pezullimin e përkohshëm apo pamundësinë e zgjedhjes në organe drejtuese kur nuk paguajnë kuotizacionin për një periudhë një-vjeçare.

Në vijim, Statuti parashikon organizimin e Partisë në nivel vendor, pra rregullohet mënyra e zgjedhjes dhe funksionimit të:

Organizatës Socialiste si njësia bazë organizative dhe elektorale e partisë;

Këshillit Socialist të Njësisë Administrative si strukturë koordinuese e organizimit dhe veprimtarisë në njësinë administrative përkatëse;

Asamblesë Socialiste të Bashkisë si organi më i lartë vendimmarrës i partisë në bashki;

Kryetarit të partisë së bashkisë;

Sekretariatit ekzekutiv (Kancelari) në nivel bashkie, që është një nga risitë e Statutit, parashikuar për herë të parë, si organ që përzgjidhet nga Sekretariati ekzekutiv i Partisë dhe është përgjegjës për çdo aspekt administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie; i cili përgjigjet njëkohësisht te Kryetari i partisë në Bashki dhe në Sekretariatin Ekezekutiv në selinë qendrore.

Ky funksion i ri do të jetë me kohë të plotë dhe do të përgjigjet për të gjithe anën dokumentare, administrative, kuotizacionin, duke ndjekur dhe raportuar zbatimin e akteve të organeve më të larta të partisë në nivel vendor;

 

Këshillit Koordinues të partisë në qark si struktura kryesore koordinuese e partisë në nivel qarku. Në të përcakohet më qartë dhe roli i drejtuesit politik të qarkut duke i dhënë këtij atributet e drejtimit më të lartë politik të strukturave të partisë në nivel qarku. Drejtuesi politik zgjidhet nga AK dhe është anëtar i Kryesisë.

Në përmbajtje të tij Statuti parashikon organizimin e strukturave të ndryshme të Partisë në diasporë apo vendet pritëse të shqiptarëve, për të siguruar pjesëmarrjen në jetën politike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Organet drejtuese të partisë në nivel qendror parashikohen në Kreun 6 të Statutit, ku përfshihen:

Kongresi i Partisë si organi më i lartë vendimmarrës, i cili ka një sërë kompetencash si miratimi i Programit dhe Statutit të Partisë, administrimi i procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Partisë, zgjedhja e Asamblesë Kombëtare;

Asambleja Kombëtare e Partisë e cila organizon dhe drejton punën dhe veprimtarinë politike dhe organizative të Partisë midis dy kongreseve;

Kryesia e Partisë si organi politik drejtues i veprimtarisë së partisë;

Kryetari i Partisë si drejtuesi më i lartë politik i partisë.

Nenet 31-40 parashikojnë specifikisht mënyrën e zgjedhjes së organeve drejtuese, kompetencat e tyre në ushtrimin e detyrës, përbërjen dhe drejtimin e tyre.

Pjesa më e madhe e rregullave procedurale, kritereve dhe proceseve që rregullojnë zgjedhjen e të gjithë niveleve të drejtimit në PS do të vijojnë të rregullohen me akte të veçanta të miratuara nga AK, apo sic quhen ndryshe Libri i Rregullave, duke shmangur detajet e panevojshme në statut; njëkohësisht duke krijuar fleksibilitetin e nevojshëm për përshtatjen apo ndryshimin e rregullave në varësi të nevojës së kohës apo sfidave elektorale.

Sekretariati Ekzekutiv i Partisë, që është organ politik me funksione ekzekutive dhe drejton veprimtarinë e përditshmë të partisë sipas sektorëve specifikë që mbulojnë sekretarët normohet në Statut në nenin 41.

Nenet 42 dhe 43 parashikojnë funksionimin e dy Komisioneve, Komisionit të Garancive Statutore dhe Etikës, i cili vendos për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin dhe interpretimin e Statutit, Librit të Rregullave dhe vendimeve të organeve qendrore të partisë; dhe Komisionit të Zgjedhjeve në Parti që është struktura përgjegjëse për organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve në parti.

Në pjesën e katërt të tij, Statuti parashikon rregullat e përgjithshme të përfaqësimit të Partisë në degët e qeverisjes. Partia Socialiste përfaqësohet në organet e pushtetit shtetëror nga të zgjedhurit e saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe në organet e qeverisjes qendrore e vendore. Kandidatët e partisë për përfaqësues në organet e qeverisjes qendrore e vendore zgjidhen përmes një procesi transparent, që i ofron mundësi të barabarta anëtarëve dhe votuesve, që i jep përparësi meritës dhe integritetit të kandidatëve. Deputetët socialistë të zgjedhur në Kuvend përbëjnë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste.

Në Kreun 9 rregullohet përfaqësimi i Partisë në organet e qeverisjes vendore, me anë të këshilltarëve të partisë të zgjedhur në bashki dhe në qarqe si dhe përfaqësuesve për kandidatë për kryetar bashkie dhe kryetar të këshillit të qarkut.

Në pjesën e pestë të tij Statuti parashikon rregulla procedurale për zhvillimin e mbledhjeve të partisë të cilat u krijojnë mundësi anëtarëve të diskutojnë për çështjet politike dhe objektivat e partisë. Në Statut përcaktohet qartë se marrja e vendimeve në organet e partisë I nënshtrohet diskutimeve dhe debateve paraprake.

Votëbesimi në parti parashikohet në nenin 61 të Statutit, ku përcaktohet se të zgjedhurit në të gjitha nivelet e organeve drejtuese të partisë i nënshtrohen votëbesimit të zgjedhësve të tyre. Për probleme që prekin parimet themelore programore dhe statutore të partisë dhe procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për qeverisjen qendrore e vendore, Statuti parashikon mundësine e zhvillimit të referendumeve dhe proceseve të konsultimit publik.

Në Statut është parashikuar mundësia e Partisë Socialiste për krijimin e grupeve apo strukturave të reja organizimi, në kuadër të forumit të Rinisë, Gruas Socialiste, si dhe fondacionit ‘Qemal Stafa’.

Në Kreun 13 rregullohen marrëdhëniet e Partisë me organizata të tjera politike dhe pas përmirësimeve të kryera nga grupi i punës, është bërë formatimi i parashikimeve lidhur me Strukturat e partisë jashtë vendit, duke siguruar pjesëmarrjen në jetën politike të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Së fundmi Statuti përmban rregullime të financave dhe pasurive si dhe të administrimit të tyre, ku përsëri ka patur përmirësime duke parashikuar rregulla të reja lidhur me të ardhurat nga pasuritë në pronësi apo administrim të Partisë, të cilat duhet të administrohen sipas rregullave të përcaktuara në Librin e Rregullave.

Në statut parashikohet dhe miratimi i Librit të rregullave brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e statutit të rishikuar duke hapur procesin e përzgjedhjes së Kryetarëve të PS dhe organeve të tjera në të gjitha bashkitë, përfshirë dhe formësimin e strukturës administrative/ekezekutive në çdo degë të PS në bashkitë e vendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu