Kushte pandemie / Shqiptarët drejt bizhuterive dhe ushqimeve

0

Pandemia ka sjellë kontraste në sjelljen konsumatore. Në njërin kah, shqiptarët rritën në vitin 2020 shpenzimet për produktet ushqimore të shportës, gatuan më shumë në shtëpi, ndërsa konsumuan më pak pije alkoolike e birrë.

Megjithatë, nuk hoqën dorë nga kafeja. Në kahun tjetër u rritën shitjet e bizhuterive me çmime mbi 1 mijë euro e deri tek orët zvicerane. Rekord arritën dhe produktet e pastrimit. Qëndrimi në shtëpi u shfrytëzua për të përmirësuar mobilimin .

2020-a ishte një vit ndryshe nga të tjerët. Pandemia e koronavirusit ndryshoi sjelljen e konsumatorit dhe tendencën për shpenzime. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2020, importet e artikujve ushqimorë, preparateve larëse, mobilieve, bizhuterive u rritën krahasuar me vitin 2019.

Importi i kafesë, cigareve, pijeve alkoolike dhe orëve pësoi rënie. Aktorët kryesorë të tregut raportojnë se në 2020, nga produktet ushqimore u shit më shumë mielli, makaronat, vaji dhe drithërat e shëndetshme. Në konsum shënuan rënie vetëm pijet alkoolike dhe birrat e importit, për shkak të moslejimit të dasmave, festave dhe nga mbyllja e klubeve të natës.

Tendenca e shpenzimeve ishte komplekse, pasi për disa produkte, blerjet nuk duken intuitive me krizën dhe pasigurinë ekonomike të krijuar nga COVID-19. Kërkesa është rritur edhe për bizhuteritë me çmime mbi 1,000 euro dhe ora të shtrenjta zvicerane. Vitin e kaluar janë shitur 5% më shumë bizhuteri se në 2019-n. Mospërputhja e sjelljes së konsumatorit me krizën e COVID-19 shpjegohet nga drejtuesit e argjendarive në Tiranë me ndalimin e lëvizjeve jashtë vendit dhe individët kanë pasur më shumë para në dorë për blerje brenda Shqipërisë.

Sipas kompanive kryesore të tregtisë me shumicë dhe pakicë në vend, shitjet e detergjentëve në 20 ditët e para të marsit shënuan rritje me 50%. Ndryshe nga çfarë ndodhi në fillim të pandemisë nga COVID-19, aktualisht kompanitë raportojnë se në vitin 2020, detergjentët dhe produktet e higjienës në total u shitën 8% më shumë se në 2019. Importet e grupit Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë” arritën një rekord historik në 2020-n, sipas INSTA.

Nuk hiqet dorë nga luksi i bizhuterive

Pandemia nuk e ka zbehur dëshirën për luks dhe “shkëlqim” te shqiptarët. Tregu i shitjes së bizhuterive u zgjerua në 2020. Sipas të dhënave të INSTAT, importi i bizhuterive u rrit 18,4%, pas një rënie që pati në 2019. Ndryshe nga bizhuteritë, importi i orëve në vitin që lamë pas ishte me tkurrje 8,6%. Kjo tendencë u shfaq edhe në 2019.

Agron Gjikondi, i cili zotëron një ndër argjendaritë më të mëdha në vend, pohoi për “Monitor” se shitjet e bizhuterive të markave më të njohura italiane dhe të orëve zvicerane ishin mbi 5% më të larta në 2020 në dyqanin e tij krahasuar me 2019.

“Rritja e shitjeve ka ardhur për shkak të ndalimit të lëvizjeve jashtë vendit. Rreth 30% e blerësve, i blejnë bizhuteritë jashtë vendit dhe për këtë arsye është rritur xhiroja për blerjet brenda vendit. Edhe për muajin janar 2021, ecuria e shitjeve ishte shumë pozitive. Parashikohet që edhe ky vit të mbyllet me rritje të paktën deri në 10% që është maksimumi i shitjeve për këto produkte”. Drejtuesi i argjendarisë “Gjikondi” thotë se edhe investimet për biznesin janë rritur. Ai tha se në dyqan tregtohen vetëm bizhuteri të markave më të njohura italiane me çmim mbi 1 mijë euro dhe ora zvicerane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu