Ka mbërritur në ambientet e apelit të Posaçëm ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri së bashku me avokatin e tij mbrojtës Maks Haxhia. Tahiri mbërriti 30 minuta më herët se orari zyrtar i përcaktuar nga ana e gjykatës.
Ndërkohë që më herët është bërë publike dhe trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e Tahirit, e cila përbëhet nga gjyqtarja Irgerta Hysi, Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi. Vakanca u krijua pasi Ilirjana Olldashi kishte dhënë dorëheqjen.
Kur vendosi të rikthejë edhe njëherë për gjykim në Apel çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.
Apeli e ktheu çështjen për rigjykim në shkallën e parë, me argumentin se kjo gjykatë kishte gabuar në rikualifikimin e akuzës nga “trafik i narkotikëve” në “shpërdorim detyre”.
Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.
Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Në vendimin e arsyetuar të gjykatës në shtator të këtij viti, nuk rezultonte asnjë fakt që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kreu i të cilëve është Mojsi Habilaj, i gjykuar në Itali, por aktualisht në arrati, duke thyer në Katanias masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas gjykatës, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ,ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri.