Për presidentin Ilir Meta Shqipëria ka pasur një mandat 4-vjeçar atipik, qysh nga zgjedhja e kryeprokurorit, deri te djegia e mandateve.
Opozita dogji mandatet e qytetarëve që duhet t’i mbronte nga qeveria.
Meta shton se sot opozita nuk ka asnjë këshilltar në të gjithë Shqipërinë që ta mbrojë, jo një kryetar bashkie, por nuk ka një këshilltar që ta mbrojë, që të ngrejë një problem për një vendim.
Pyetje: Gjithsesi, Zoti President, mandati juaj ka qenë një mandat atipik.
Presidenti Meta: A ka qenë Shqipëria tipike në katër vitet që lamë pas? Më thoni? Kur Kushtetuta e thotë qartë, e bën me 140 vota, që Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me të paktën 84, se deri përpara dy vitesh ishte e qartë Kushtetuta që zgjidhej me 2/3-tat, e thoshte me 84, dhe Presidenti një javë para i lajmëron publikisht. Këtu ka qenë në konferencë shtypi me Presidentin e Malit të Zi, në atë kohë, në këtë sallë. Lajmëron dhe thotë që: Shikoni se javës tjetër mbaron mandati i Prokurorit të Përgjithshëm! Merrni masa ta zgjidhni në përputhje me Kushtetutën, bëni propozime, jepni alternativa që kjo çështje të zgjidhet! Dhe pastaj shkon siç shkoi! Çfarë të bëjë Presidenti?!
Kur Presidenti thotë: Lërini këto marrëzi, si do t’i digjni ju mandatet? Mandatet e kujt do të digjni ju? Nuk janë mandatet tuaja, janë të njerëzve që do t’i mbroni se opozita është aty për të mbrojtur popullin nga qeveria, për të kontrolluar qeverinë, jo për ta lënë popullin të pambrojtur! Kur Presidenti thotë: Si do të ikni ju nga pushteti lokal? Si do t’i lini këta njerëz pa i mbrojtur? Dhe sot opozita nuk ka asnjë këshilltar në të gjithë Shqipërinë që ta mbrojë, jo një kryetar bashkie, – është ajo e Shkodrës për arsye që dihen, – por nuk ka një këshilltar që ta mbrojë, që të ngrejë një problem për një vendim, që të kërkojë llogari për një çështje. Çfarë prisni ju që të thotë Presidenti?! Presidenti nuk është këtu as për etikë, as për…, Presidenti është këtu për të shprehur shqetësimet e qytetarëve, shqetësimet e popullit dhe e dimë se çfarë i ka ndodhur Kushtetutës sonë gjatë kësaj kohe. Bëhen ligje kundër Kushtetutës apo jo!