Vitin e shkuar individët dhe bizneset bënë mbi 21 mijë aplikime për lidhje të reja në rrjet.
Tirana, Durrësi dhe Shkodra janë rajonet me më shumë aplikime të kësaj natyre por edhe për aplikime që kërkojnë rritje të kapacitetit. Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë të vitit të shkuar tregojnë për një rritje me 20 për qind të aplikimeve në raport me vitin 2021.
Nga të dhënat e bërë publike Enti del në përfundimin se të paktën 84.7% të aplikimeve zënë vend aplikimet për Lidhjet e Reja dhe 15.3% aplikimet për Shtesë Fuqie.
“Sikurse edhe në vitin 2021, Tirana, Durrësi dhe Shkodra, vazhdojnë të zënë pjesën më të madhe të aplikimeve për lidhje të reja, për çdo kategori. Kukësi vazhdon të mbetet rajoni me më pak aplikime për lidhje të reja në rrjet. Në kuadër të aplikimeve totale për vitin 2022, OSSH sh.a. ka dhënë dhe statusin e këtyre aplikimeve, ndër të tjera statusi i përfunduar ze gjysmën e totalit të këtyre aplikimeve me 12634, ndërsa rastet e refuzuara janë 1048” thuhet në dokument.
Në një përmbledhje më të gjerë Enti nënvizon se sa i përket aksesit në rrjetin e shpërndarjes, gjatë vitit 2022, rezulton se ka patur një total prej 21157 aplikime për lidhje të reja apo shtesë fuqie në rrjetin e shpërndarjes, prej të cilave 17 927 janë aplikime për Lidhje të Re 3230 aplikime për Shtesë Fuqie.
“Në krahasim me vitin 2021, grand totali i aplikimeve është rritur me afro 20%, respektivisht aplikimet vetëm për lidhje të re shkojnë nga 14108 aplikime në 2021 në 17927, 22% ndërsa aplikimet për shtesë fuqie shkojnë nga 2900 për vitin 2021 në 3230 rreth 11%” thuhet në raportin vjetor të ERE.
Nga ana e OSSH që është pjesë e OSHEE Group janë refuzuar mbi 1 mijë aplikime duke argumentuar se problemet kryesore kanë qenë mungesa e dokumentacionit, moskryerja e pagesës së preventivit për një kohë të gjatë, aplikanti rezulton debitor, objekti për të cilin është aplikuar është i papërfunduar apo probleme mbi pronësinë.
Sa i takon lidhjeve në rrjetin e transmetimit Enti bën me dije se aplikimet janë katërfishuar në vitin 2022 në raport me vitin paraardhës.
“Sa i përket aksesit në Rrjetin e Transmetimit, vërejmë se në krahasim me vitin 2021, kemi rritje të numrit të aplikimeve nga 27 në 117 aplikime për lidhje të reja, rreth 4 here me shumë se në vitin 2021. Sa për çështjen e njësive gjeneruese janë vënë në operim 2 burime në vitin 2021, kurse në 2022 vetëm 1 njësi gjeneruese” thuhet në raport./Monitor.al