Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka kundërshtuar ligjin për vettingun e noterëve, i cili u prezantua sot nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Gjatë Komisionit të Ligjeve, Alibeaj tha se noterët duhet të kontrollohen, por s’ka nevojë për vetting. Sipas tij qeveria s’ka lënë gjë pa kapur, duke përmendur dhe skandalin me Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Këtu çdo ministër që vjen vettingun bën. E mbani mend Gjonaj, 4 vite dy gjëra mbaj mend e degdisi Nezar Seitin duke shkelur të gjitha rregullat e ekstradimit. Akti i parë që mbahet mend dhe akti i dytë vettingu i noterëve. Vjen tjetrin bën të njëjtën gjë. S’ka lidhje fare me vettingun e noterëve secili prej ministrave që vjen krijon vetëm kushtet si të pastrojë noterët dhe ta mbushë me militantë të partisë. Me ata që në 25 prill bënë vota për PS. Do të duhet të vendoset rregulli, integriteti, mos ketë kontakte me krimin. Çfarë i ka munguar ministrit të Drejtësisë, i kujtdo qoftë ai, nuk mungon asgjë nga legjislacioni aktual për të kontrolluar noterët. Sa kontrolle ka bërë zotëria? Mirë vjen për të bërë një ndryshim në ligj dhe arsyeton kanë nisur kaq kontrolle për noterët, nuk ka shkuar deri në fund se ligjit i mungon diçka. Zero kontrolle. E thotë edhe vetë Dhoma e Noterëve. Problemi më i madh në noterinë është se ç’bëhet me sistemet elektronike. Detyrohen njëherë në 6 muaj të paguajnë para për disa sisteme të ministrisë që janë në duart e qeveritarëve. Babëzia e qeverisë nuk mjaftohet me kaq. Kjo qeveri që s’ka lënë zgjo pa kapur tani po i sulet edhe Federatës së Futbollit. Të lërë pa futur duart edhe tek noterët. Të gjithë duhet të dinë që noteria duhet kontrolluar, por është veprimtari publike që ushtrohet në mënyrë private. Por peshku qelbet nga koka”, tha ai.