Ka mbërritur pranë “Pallatit të Kongreseve” trupi i pajetë i nënkomisarit Saimir Hoxha, në nderim të të cilit pritet të mbajnë homazhe krerët më të lartë të shtetit, përfshirë presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun iopozitës Lulzim Basha.
Dhjetra kolegë, efektivë të Policisë së Shtetit dhe familjarë i janë drejtuar ambienteve të brendshme të pallatit të Kongreseve, ku do të bëhen homazhe në nderim të Hoxhës, i cili është shpallur dje dhe ‘Dëshmor i Atdheut”.
Saimir Hoxha u vra paraditen e djeshme në Lezhë, teksa ishte në krye të detyrës, duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të mitur.
Nënkomisari ishte prej vitesh në radhët e policisë së shtetit, dhe kishte shërbyer në nivele të larta në disa qytete të vendit, ku së fundi ishte emëruar si oficer krimesh në Lezhë.
Arkivoli i Hoxhës është mbuluar me flamurin kombëtar, ndërkohë që në krye të kortezhit qëndronte dhe kreu i policisë së shtetit Ardi Veliu.
Homazhet për nënkomisarin e ndjerë pritet të zgjasin për rreth 3 orë, dhe më pas trupi i pajetë i Hoxhës do të prehet në varrezat e dëshmorëve në Tiranë.
Saimir Hoxha, 44 vjeç me origjinë nga qyteti i Pukës, prej disa vitesh jetonte së bashku me familjen e tij në Tiranë, dhe për të shkuar në punë në Lezhë, e bënte çdo ditë rrugën vajtje -ardhje,.
Edhe të martën e 29 Shtatorit ai ishte në krye të detyrës, kishte lënë pas fëmijët dhe gruan, për ti shërbyer vendit, për të cilin ra edhe Dëshmor.