Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tha se është e domosdoshme të hiqen duart nga këmbëzat e armëve para se të ketë më shumë shkatërrime, gjakderdhje, viktima civile dhe një katastrofë të tmerrshme në konfliktin Izrael-Iran.
Erdogan mbajti një fjalim në aktivitetin e Forumit Rinor të Organizatës së Bashkëpunimit Islam që u organizua në sallonin e Kongreseve të Universitetit “Haliç” në Stamboll.
Ai tha se bota islame po kalon një periudhë të vështirë, me luftëra, konflikte dhe paqëndrueshmëri që hedhin hije mbi të gjithë gjeografinë e saj.
Duke folur për sulmet izraelite ndaj palestinezëve, presidenti turk tërhoqi vëmendjen në sulmet ndaj civilëve që presin ndihma humanitare.
“Njerëzit që qëndrojnë në radhët e shpërndarjes së ushqimit në Gaza për një copë bukë dhe një tas supë po shënjestrohen egërsisht”, tha ai.
“Gaza ka përjetuar një nga aktet më të turpshme të barbarizmit modern për 21 muaj”, shtoi Erdogan.
“Izraeli, i cili ankohet për dëmet në spitalet e tij sot, deri më tani ka kryer mbi 700 sulme ndaj institucioneve të kujdesit shëndetësor vetëm në Gaza”, tha më tej ai duke shtuar se “qeveria e Netanyahut është kryesisht përgjegjëse për gjenocidin në Gaza. Ata që heshtin përballë këtyre masakrave janë bashkëpunëtorë në këto krime”.
Erdogan theksoi se ata që e shndërruan Gazën në kampin më të madh të përqendrimit në botë, të flasin për krime lufte, nuk është vetëm paqëndrueshmëri, por tregojnë edhe paturpësi të madhe.
“Fuqitë që kanë ndikim mbi Izraelin ‘nuk duhet të bien në lojën e Netanyahut’. Duhet ta përdorin ndikimin e tyre për vendosjen e armëpushimit dhe qetësisë në rajonin tonë”, tha presidenti turk.
Ai u ndal edhe në taktikat e frikësimit të Izraelit ndaj tij dhe Turqisë, duke thënë se “pavarësisht taktikave të frikësimit të lobit sionist ndaj meje dhe qeverisë sime, nuk ndryshuam kurrë qëndrimin tonë dhe kurrë nuk hezituam të qëndrojmë pranë të shtypurve”.
“Është e domosdoshme të hiqen duart nga këmbëzat e armëve para se të ketë më shumë shkatërrime, gjakderdhje, viktima civile dhe një katastrofë të tmerrshme në konfliktin Izrael-Iran”.
Sipas Erdogan, fatkeqësisht, gjenocidi në Gaza ashtu edhe konfliktet në Iran po i afrohen me shpejtësi pikës pa kthim.
“Si gjenocidi në Gaza ashtu edhe konflikti midis Izraelit dhe Iranit, për fat të keq, po arrijnë me shpejtësi në pikën pa kthim”, shtoi Erdogan, duke bërë thirrje për një armëpushim “para se të ndodhë një katastrofë”.
Erdogan ka theksuar se Turqia duhet të forcojë kapacitetet e saj parandaluese për të siguruar që askush të mos e sulmojë vendin në këtë periudhë lufte që nisi javën e kaluar.
Pas një mbledhjeje të qeverisë së tij të hënën, ai deklaroi: “Po hartojmë plane prodhimi për të çuar rezervat tona të raketave me rreze të mesme dhe të gjatë në një nivel që garanton fuqinë parandaluese, në dritën e zhvillimeve të fundit.” “Me ndihmën e Zotit, në një të ardhme jo shumë të largët, do të arrijmë një kapacitet mbrojtës aq të fuqishëm sa askush nuk do të guxojë të tregojë forcë ndaj nesh”.