Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, mori pjesë në takimin “Një kafe me miqtë”, organizuar në sallën e rektoratit të Akademisë së Sigurisë. Ky takim u zhvillua në praninë e mbështetësve të Akademisë, përfaqësuesve të ambasadave mike të akredituara në Shqipëri, bashkëpunëtorëve nga shoqëria civile, Prokurorisë dhe BKH-së.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori Proda theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në luftën kundër krimit dhe në proceset e arsimimit të strukturave të Policisë së Shtetit. Ai vlerësoi rolin e Akademisë në rritjen profesionale dhe cilësore të forcave të policisë, si dhe kontributin e partnerëve ndërkombëtarë për përmirësimin e programeve dhe trajnimeve.
“Në luftën kundër së keqes, çdo individ ka rolin e tij, por kjo luftë nuk mund të bëhet vetëm. Bashkëpunimi është thelbësor. Ju ndihmoni dhe asistoni Policinë e Shtetit në arsimim, zhvillimin e trajnimeve dhe përforcimin e njohurive në vendet tuaja”, tha Proda.
Nga ana e tij, Rektori i Akademisë së Sigurisë, Mandro, falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi rezultatet e vitit 2024, duke përmendur se Akademia ka pasur një përparim cilësor në arritjen e objektivave të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Ai gjithashtu theksoi angazhimin për vitin 2025, duke u shprehur optimist për arritjen e rezultateve të tjera pozitive në arsimimin dhe trajnimin e punonjësve të ligjit.
Ky takim nënvizoi rëndësinë e vazhdueshme të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e arsimit dhe luftës kundër krimit në Shqipëri.