Lufta tregtare, Kina mund të parakalojë SHBA-në deri në 2030

0

Analistët thonë se ekonomia e Kinës do të mbështetet gjithnjë e më shumë tek investimet shtetërore, zhvillimi i teknologjisë së lartë dhe konsumi i brendshëm e më pak tek ajo që ishte një aspekt kryesor i ekonomisë së saj, prodhimet për eksport, duke tejkaluar ekonomikisht Shtetet e Bashkuara në dekadën e ardhshme.

Qendra Britanike e Konsulencës për Kërkime Ekonomike dhe Biznes (CEBR) parashikon se PBB-ja e Kinës do të rritet me 5.7% në vit deri në vitin 2025 dhe më pas 4.7% çdo vit, deri në 2030.

Sipas këtij parashikimi, Kina, aktualisht ekonomia e dytë më e madhe në botë, do të kapërcejë ekonominë amerikane që renditet e para, deri në vitin 2030. Kompania që siguron kreditë ‘Euler Hermes’ ka bërë një parashikim të ngjashëm.

Sipas medias shtetërore kineze gjatë dekadës së fundit udhëheqësit kinezë kanë nxitur përpjekje për t’u mbështetur kryesisht tek ato shërbime që ofrojnë një vlerë të shtuar në ekonomi sesa tek eksportet tradicionale.

Mosmarrëveshja tregtare Pekin-Uashington dhe mbyllja e vendeve të punës në fillim të vitit 2020 për shkak të COVID-19 kanë rritur trysninë ndaj prodhimit.

Duke ulur prodhimin në fabrikat kineze, kompanitë e huaja shumëkombëshe janë zgjeruar jashtë Kinës, duke synuar vende të tilla si Vietnami me qëllimin për të shmangur rritjen e pagave (për punonjësit) dhe kostot që lidhen me respektimin e rregullave mjedisore. Duke u transferuar në shumë vende, ata shpresojnë të parandalojnë situata problematike sikurse ajo e nxitur nga bllokimet e qeverisë kineze për shkak të COVID-19, që çuan në mbylljen e fabrikave.

Ekonomia kineze arriti në 15.92 trilionë dollarë në vitin 2020. Kompania që studion tregun ‘IHS Markit’ vlerëson se vitin e kaluar ajo u rrit në 18 trilionë dollarë si pasojë e rritjes së prodhimeve për eksport, si dhe kapitalit për projekte të reja. E njëjta kompani thotë se ekonomia amerikane arriti në rreth 23 trilionë dollarë vitin e kaluar.

 

Investimi shtetëror

Ekonomistët thonë se vendi që njihet tashmë për rritjen e shpejtë ekonomike gjatë 20 viteve të fundit do të përballet me një rritje të kontrollit të shtetit mbi sektorët kryesorë pas ndërhyrjes në disa prej tyre, përfshirë internetin në vitin 2021.

“Pekini ka fonde dhe fuqi të pakufizuar politike të brendshme për të përdorur thesarin e madh shtetëror për të bërë investime strategjike në shërbim të objektivave kombëtare e globale për të patur një rol udhëheqës”, thotë Denny Roy, një nga bashkëpunëtorët kryesorë të qendrës së mendimit ‘East-West’ në Honolulu.

Në vitin 2018, Kina shënoi një rritje me rreth trefish krahasuar me mesataren botërore, të indeksit mbi Kontrollin e Drejtpërdrejtë mbi Ndërmarrjet, i cili llogaritet nga Organizata për Zhvillimin e Bashkëpunim Ekonomik.

Kjo “pasqyron theksin në rritje të Kinës mbi rolin e shtetit në ekonomi nën udhëheqjen e Xi Jinping-ut”, thuhet në një raport të muajit tetor të Institutit Atlantic Council.

 

Forcimi i teknologjisë

Ekonomistët thonë se udhëheqësit kinezë ndoshta do t’i japin përparësi teknologjisë si një motor për rritje ekonomike.

Ndërhyrja e shtetit tek interneti nuk do të pengojë zgjerimin e teknologjisë për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe në infrastrukturën e programeve kompjuterike thotë Zennon Kapron, themelues dhe drejtor i firmës kërkimore të industrisë financiare me bazë në Shangai, Kapronasia.

“Nëse vendi bëhet i pavarur për sa i përket teknologjisë dhe më pas është në gjendje t’i shesë dhe eksportojë ato produkte e shërbime që bazohen në teknologji, atëherë kjo do të ishte një nxitje e madhe për ekonominë e tij, sepse ai është aktualisht nxitësi kryesor për PBB-në në SHBA”, thotë zoti Kapron.

Ekonomia amerikane shton ai, do të vazhdojë të rritet deri në vitin 2030, por pa vrull.

Kina ka një “bazë të madhe inxhinierësh”, megjithëse më pak kreativitet sesa i nevojitet për të nxitur “idetë e çmendura” që nxisin zhvillimin e teknologjisë së re, thotë Douglas McWilliams, themelues dhe nënkryetar ekzekutiv i CEBR-së.

 

Çfarë do të ndodhte nëse Kina kapërcente ekonominë amerikane?

Statusi i ekonomisë më e madhe në botë nuk të jep ndonjë avantazh automatik mbi të tjerët thonë ekonomistët, por vendet e varura nga ekonomia kineze do t’i kushtonin vëmendje një gjëje të tillë.

“Nuk jepet ndonjë medalje ari apo diçka e tillë“, i tha Zërit të Amerikës zoti McWilliams i CEBR-së. “Por kur keni më shumë para për të shpenzuar, do të thotë se keni aftësi për të ndikuar dhe Kina do ta ketë këtë aftësi”, shton ai.

Kina do të kishte një pozitë më të mirë, thotë ai, për të çuar përpara nismën e saj ‘Një Brez një Rrugë’, një përpjekje 9-vjeçare që synon ndërtimin e korridoreve tregtare tokësore dhe detare përmes Azisë, Evropës dhe Afrikës në formën e projekteve dhe investimeve në infrastrukturë.

Zyrtarët në Pekin po përdorin tashmë ekonominë e tyre në mosmarrëveshjet me vendet e tjera, thotë zoti Roy i Qendrës Lindje-Perëndim. Kina ka mosmarrëveshje me katër vende të Azisë Juglindore për sovranitetin detar, po kështu me Japoninë për një grup ishujsh dhe ka probleme territoriale me Indinë që nga viti 2017.

“Rezultati i kësaj pritshmërie, pra që Kina që tejkalon Shtetet e Bashkuara ekonomikisht, ka qenë një politikë e jashtme më e guximshme e Republikës Popullore të Kinës që synon të zgjidhë mosmarrëveshjet rajonale në favor të Pekinit dhe të çlegjitimojë udhëheqjen rajonale e globale të SHBA-së nën supozimin se është Kina ajo që duhet të vendosë rregullat e reja në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se kjo është e pashmangshme“, thotë zoti Roy.

Marrë nga “VOA”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu