Luhatjet e forta të kursit të këmbimit të Euros me Lekun kanë sjellë në vëmendje kontratat forward. Këto kontrata mund të ndihmojnë për të mbrojtur veçanërisht bizneset importuese dhe eksportuese nga luhatjet e pafavorshme të kursit të këmbimit. Megjithatë, sipas bankierëve, përdorimi i këtyre instrumenteve është ende shumë i kufizuar
Ersuin Shehu
Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut këtë vit ka shfaqur luhatshmëri të lartë, kryesisht në kahun e rënies. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në muajin korrik, Euro preku nivelin minimal historik prej 100.49 lekësh. Ndryshimi vjetor i kursit në këtë periudhë arriti një nivel rekord prej 14%.
Përveç një tendence të fortë mbiçmuese të Lekut, kursi ka shfaqur edhe luhatshmëri të forta afatshkurtra dhe ka alternuar periudha rënieje të fortë, me ringritje të shpejta, por afatshkurtra, që, sipas agjentëve, shpjegohen kryesisht me sjelljen oportuniste të subjekteve që duan të blejnë Euro në momente kur vlera e monedhës europiane bie, duke rritur rrjedhimisht kërkesën.
Kursi i luhatshëm mund të ketë nxitur edhe një sjellje më të lartë spekulative nga aktorë të caktuar të tregut.
Ekonomia shqiptare ka një shkallë të lartë të varësisë nga luhatjet e kursit të këmbimit, sepse jo vetëm Euro është monedha kryesore e këmbimeve tregtare të vendit, por, edhe sepse monedha europiane ka një nivel të konsiderueshëm të përdorimit në transaksionet e brendshme ekonomike.
Ekspozimi i lartë ndaj kursit të këmbimit
Subjektet më të ekspozuara në mënyrë direkte ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit janë ato të angazhuara në aktivitet importues dhe eksportues.
Sipas të dhënave të INSTAT, për 9-mujorin e këtij viti, këmbimet tregtare me Eurozonën përbënin 73% të eksporteve dhe 51% të importeve.
Sidoqoftë, kursi i këmbimit Euro-Lek, në një masë të madhe, përcakton edhe tendencat e kursit të Lekut edhe me valutat e tjera kryesore.
Për këtë arsye, luhatjet e kursit të këmbimit të Euros kanë ndikim të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe në bilancet e ndërmarrjeve eksportuese dhe importuese.
Në kushtet kur kursi Euro-Lek ka lëvizur në kahun e rënies, një situatë e tillë ka tendencën t’i bëjë më të lira importet (për njësi të njëjtë çmimi), por nga ana tjetër, sjell rënie të të ardhurave nga eksportet.
Rreziku i kursit të këmbimit nuk prek vetëm tregtinë e mallrave, por edhe sektorin në rritje të shërbimeve të lidhura me turizmin. Përveç faktorëve të tjerë, edhe forcimi i Lekut ka ndikuar në rritjen e çmimeve të njësive akomoduese.
Madje, sipas agjencive turistike, ky ka qenë një faktor që ka shtrenjtuar edhe kontratat e nënshkruara për vitin e ardhshëm.
Duke qenë se Shqipëria ka një bilanc negativ në tregtinë e jashtme të mallrave, në teori, forcimi i monedhës ka ndikim më të madh tek importet dhe gjasat janë që të sjellë reduktim të deficitit tregtar, siç edhe ka ndodhur këtë vit.
Deficiti në tregtinë e mallrave ka rënë me 3.7% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, rënia e Euros mund të ketë ndikim negativ afatgjatë mbi konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare. Kjo vlen për sektorët e fasonerisë, ku marzhet janë të ulëta dhe ndryshimi i çmimeve për të kompensuar efektin e kursit të këmbimit mund të jetë veçanërisht i vështirë, për shkak të kontratave afatgjata me porositësit, por edhe për shkak të konkurrencës nga tregjet e tjera.
Një segment tjetër i ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit është ai i huamarrësve në valutë të huaj, ose në përgjithësi i atyre subjekteve që kanë kredi në një valutë të ndryshme nga ajo që arkëtojnë të ardhurat e tyre.
Mbështetur në të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti, kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përbënte 19% të portofolit total të sektorit bankar dhe 37% të kredisë në valutë.
Rreth 64% e kredisë së ekspozuar ndaj kursit të këmbimit u takon bizneseve. Marrëveshjet forward mund të jenë një mekanizëm për t’u mbrojtur nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe nga shtrenjtimi i kësteve të kredisë.

Luhatjet e kursit sjellin vëmendjen te kontratat forward
Duke iu përgjigjur ankesave të vazhdueshme të bizneseve dhe në veçanti të atyre eksportuese, Banka e Shqipërisë ka sugjeruar disa herë përdorimin e kontratave forward të kursit të këmbimit, si një mënyrë për t’u mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Kontratat forward janë marrëveshje, sipas të cilave, palët bien dakord të kryejnë këmbim valutor në një datë të caktuar në të ardhmen, sipas një kursi të vendosur në momentin e nënshkrimit të kontratës.
Në parim, të gjitha bizneset që kanë mospërputhje valutore mes të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre mund të kenë përfitime nga përdorimi i kontratave forward.
Këtu përfshihen kryesisht bizneset importuese dhe eksportuese, por jo vetëm, duke pasur parasysh edhe një shkallë të konsiderueshme të euroizimit në transaksionet e brendshme ekonomike.
Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri është një nga bankat që i ofrojnë prej vitesh kontratat forward për klientët.
Suela Aliaj, Drejtore e Zyrës së Thesarit dhe Ekzekutimit të Transaksioneve për Klientët, shpjegon se marrëveshja forward nuk është gjë tjetër, veçse një kurs këmbimi i korrigjuar me efektin e normave të interesit të monedhave.
“Aktualisht, me diferencat në normat e interesit midis EUR dhe LEK, kursi i këmbimit forward llogaritet më i vogël se ai në Spot, sa më i gjatë të jetë afati i marrëveshjes, pasi norma e interesit e LEK është më e vogël se ajo e EUR”, – thotë znj. Aliaj.
Gjithashtu, për kontratat forward në përgjithësi, bankat kërkojnë një garanci paraprake, për t’u siguruar që klienti do të zbatojë marrëveshjen e këmbimit të parashikuar në kontratë. Garancia mund të kërkohet në para ose në një lloj tjetër kolaterali.
Marrëveshja forward është marrëveshje detyruese, që do të thotë se palët, si blerësi, ashtu edhe shitësi, janë zotuar dhe nuk mund të heqin dorë në rast se kursi i fiksuar i këmbimit ndryshon në mënyrë të pafavorshme.
Për të kompensuar rrezikun e mosrespektimit të marrëveshjes apo mosshlyerjes, ofruesi i kontratës (banka) kërkon një kolateral nga klienti që hyn në një marrëveshje forward.
Sipas bankierëve, kolaterali mund të variojë nga 15% deri në 5% të shumës së menduar të marrëveshjes. Kolaterali bllokohet në një llogari në bankë dhe grumbullon interesa si të një depozite.
Për të nxitur përdorimin e kontratave forward në tregun e brendshëm, në tre vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka filluar t’i përdorë këto instrumente në ankandet e saj të blerjes së valutës.
Nga 17 ankande të blerjes së valutës të zhvilluara nga Banka e Shqipërisë për vitin 2023, tetë prej tyre parashikojnë marrëveshje forward me afat njëmujor.

Avantazhet e kontratave forward
Avantazhi kryesor është mbrojtja nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe mundësia për të planifikuar flukset hyrëse dhe dalëse të parasë në të ardhmen.
Kaan Pekin, Drejtor i Grupit të Thesarit dhe Institucioneve Financiare në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) thotë se çdo sektor biznesi, subjekt i luhatjeve të kursit të këmbimit në një mënyrë apo një tjetër, mund të përfitojë nga kursi i këmbimit forward.
“Në sektorët e shërbimeve si turizmi, nëse një hotel paguan punonjësit e tij në monedhën Lek, ndërkohë që dhomat i shet në Euro, ai ndikohet nga rritja e kostove të pagave në rast se Leku shqiptar mbivlerësohet kundrejt Euros.
Le të marrim shembullin e një importuesi nafte, i cili importon naftë, duke paguar në Dollar Amerikan dhe ndërkohë e shet në treg në monedhën vendase në Lek, importuesi mund të fiksojë çmimin USD/Lek me një marrëveshje forward, duke fiksuar kështu edhe marzhin e fitimit për shitjet e naftës në tregun vendas.
E njëjta gjë edhe për çdo eksportues shqiptar si p.sh., një prodhues këpucësh mund të përfitojnë duke rënë dakord për një marrëveshje forward EUR/Lek”, – thotë ai.
Erion Taçe, Drejtor i Departamentit të Tregjeve Globale në Bankën OTP Albania, thotë se përfitimi kryesor nga këto marrëveshje është te fakti që klienti ka një vizion të qartë të të ardhurave apo shpenzimeve për të ardhmen dhe nuk e lë nivelin e tyre të jetë i panjohur, për shkak të nivelit të kursit ku mund të jetë në të ardhmen.
“Përfitimi i këtyre marrëveshjeve nuk mund të jetë te mbrojtja e vlerës së investimeve në valutë të huaj ose e një detyrimi në valutë të huaj. Benefiti mund të shihet te mbrojtja nga luhatjet e kursit në rrjedhën e parasë (cash flow) të një aktiviteti qoftë hyrës, qoftë dalës.
Bllokimi i humbje/fitimit, duke krijuar qartësi për biznesin të nivelit të të ardhurave/shpenzimeve”, – thotë z. Taçe.
Ndërkohë, dizavantazhi kryesor mund të jetë humbja e mundshme nga kursi, në rastin kur, në mungesë të mbrojtjes me marrëveshje forward, ndikimi nga lëvizjet e kursit do të rezultonte pozitiv.
Pse kontratat forward nuk përdoren?
Sipas bankierëve, deri tani, përdorimi i këtyre kontratave në Shqipëri është në përmasa shumë të vogla dhe kjo ndodh për disa arsye.
Ata nënvizojnë se këto kontrata njihen shumë pak nga bizneset dhe kjo rezulton në një kërkesë të dobët, që nuk i nxit bankat të investojnë në zhvillimin e këtyre produkteve.
Klodiana Xhepa, Chief Dealer (Përgjegjëse e Sektorit të Këmbimeve Valutore) në Credins Bank, thotë se kontratat forward bëjnë pjesë në produkte financiare derivative, që kanë specifika të veçanta dhe kërkojnë njohuri të zgjeruar për tregjet financiare dhe termat e përdorimit.
“Zhvillimi dhe aplikimi i këtyre kontratave në sektorin privat ka qenë i kufizuar. Ka pasur një ngërç në aplikimin e këtyre marrëveshjeve nga bankat e nivelit të dytë, si vetë bankat me njëra-tjetrën, po ashtu dhe bankat me klientët e tyre.
Kjo për shkak se Shqipëria nuk është ende pjesë e protokollit të marrëveshjes së ISDA-s, modeli ndërkombëtar më i përdorur i kontratës në operacionet e mbrojtjes financiare.
Gjithashtu, përdorimi i këtyre kontratave kërkon edukim financiar të zgjeruar dhe tashmë përpjekjet në këtë drejtim janë shtuar në tregun vendas nga institucione vendase dhe të huaja”, – thotë znj. Xhepa.
Erjon Taçe, nga OTP Albania, thekson se ky produkt paraqet ende probleme që lidhen me kuadrin ligjor, por edhe me menaxhimin e rrezikut nga vetë bankat.
“Ka mungesë legjislacioni që mund të bëjë të mundur lehtësimin e ofrimit të këtyre produkteve në treg. Ndërkohë që në tregje të zhvilluara, kjo pjesë është e zgjidhur prej kohësh, në Shqipëri ka një vakum të tillë.
Pjesa e ekzekutimit të kolateralit në rast falimentimi të klientit dhe zbatueshmëria ligjore e pagesave të netuara janë dy momente kyçe që duhen përmirësuar në Shqipëri.
Arsye tjetër janë edhe problemet në drejtim të menaxhimit të rrezikut. Këto marrëveshje, duke pasur lëvrim të shumave në të ardhmen, janë subjekt rivlerësimi në mënyrë të vazhdueshme.
Ky rivlerësim nuk është dot i mundur në Shqipëri, për shkak të tregut të pazhvilluar të normave të interesit, gjë që është thelbësore në këtë rast”, – thotë ai.
Sipas ekspertëve, këtë vit, ka pasur sinjale interesi prej bizneseve, kryesisht kur ka pasur luhatje të kursit të këmbimit me efekt negativ mbi aktivitetin e tyre. Megjithatë, nuk ka të dhëna që kjo rritje e interesit të ketë rezultuar në një zgjerim të mirëfilltë të bazës së klientëve.
Alternativa tjetër, kontratat e opsionit
Përveç marrëveshjes forward të këmbimit valutor, një alternativë tjetër është edhe instrumenti i këmbimit valutor i quajtur “currency option”. Kjo është një marrëveshje që i jep të drejtën, (por jo detyrimin) blerësit të kontratës për të blerë apo për të shitur një monedhë kundrejt një tjetre, me çmim të paracaktuar, në një datë të paracaktuar.
Ndryshimi kryesor i kontratës së opsionit valutor nga kontrata forward është se klienti nuk është i detyruar ta kryejë këmbimin valutor në afatin e caktuar.
Kjo i jep lirinë për të hequr dorë nga marrëveshja, nëse lëvizjet e kursit janë të favorshme për të. Por, nga ana tjetër, kontratat e opsionit kanë kosto direkte, në formën e një tarife që i paguhet bankës në formën e një primi sigurimi, për t’u mbrojtur nga luhatjet e pafavorshme të kursit.
“Në këtë lloj instrumenti, blerësi i paguan një prim shitësit. E thënë më thjesht, është një sigurim, i cili biznesi e paguan për t’u mbrojtur nga efektet negative të luhatjes së kursit të këmbimit.
Nëse në datën e rënë paraprakisht dakord, kursi i këmbimit është i favorshëm për biznesin, atëherë ai e ekzekuton kontratën, përndryshe do të këtë kosto vetëm primin e paguar”, – thotë znj. Aliaj, nga Intesa Sanpaolo Bank Albania./MONITOR