Atletja shqiptare, Luiza Gega ka qenë e ftuar në emisionin televiziv, ku ka folur për rrugën e saj drejt suksesit dhe ndjesitë e saj pasi u shpall kampione e Europës në garën me pengesa.
Luiza Gega foli për momente, ku ajo kishte dashur të linte sportin, pas dëmtimeve, duke rrëfyer se kishte pasur mjaft njerëz të cilët besonin se ajo e kishte përfunduar cikline e saj dhe se nuk mund të arrinte më shumë.
Por atletja e njohur tha se kjo kishte shërbyer si shtysë për të për t’u treguar të kundërtën personave që nuk kishin besuar tek ajo.
“Ka pasur momente që doja ta lija sidomos me dëmtimet që të bëjnë të mendosh se ndoshta nuk do rikthehesh dot. Pastaj është edhe pak le të themi kjo kultura se njerëzit që nuk të ushqejnë me shpresën që mund t’ja dalësh por të ushqejnë me idenë që kaq e kishe. Kultura e këtij vendi. Unë i kam dëgjuar shpesh herë këto, kur dëmtohesha, i dëgjoja qoftë edhe nga njerëz sporti që kaq e kishte kulmin, nuk mund të rikthehet më. Kam dashur t’i sfidoj këta njerëz.
Ne të gjithë kemi dëshirë të flasim pa fakte dhe kam dashur t’u tregoj se mund të rikthehem edhe më e fortë. Tani janë bindur edhe njerëzit që dikur nuk besnonin se mjafton të kesh vullnet. Dua të shikoj pjesën që kur të mos jem në këto nivele sesa do më duan. Sepse deri më tani sigurisht që kam një “feedback” shumë të mirë”-tha Gega.