Macron i drejtohet BE-së: Rishiko raportet me Ballkanin Perëndimor, duhet t’iu ofroj sinqeritet

0

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet të rishikojë raportet e tij me Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se shteteve të Ballkanit, BE-ja duhet t’iu ofrojë perspektivë “të sinqertë” për anëtarësimin në bllokun evropian.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë në bisedimet për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë dështuar që të nisin bisedimet për anëtarësim, për shkak se Bullgaria ka vendosur veto duke u thirrur në mosmarrëveshjet që ka me Shkupin sa i përket historisë dhe gjuhës. Ndërkaq, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë të fundit në procesin e integrimit drejt BE-së.

Franca, që nga 1 janari ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së, ka dhënë sinjale se do ta ketë në fokus të Presidencës rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Macron, sipas REL, është shprehur se Europa nuk mund t’i largohet përgjegjësisë për Ballkanin Perëndimor. “Vendet e Ballkanit Perëndimor si nga aspekti gjeografik, nga historia tragjike dhe për premtimet e të ardhmes janë në zemër të kontinentit europian. Ato mbajnë shenja që na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe forcën e bashkimit tonë europian”, është shprehur presidenti francez.

Ndaj, sipas Macron, Bashkimi Europian duhet të rimendojë dhe rikrjijojë marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor përmes dhënies së një perspektive të sinqertë të anëtarësimit në këtë organizatë.

“Jo një anëtarësimit kundër për t’ju përgjigjur përpjekjeve destabilzuese të fuqive të tjera në rajon, por një anëtarësimi pro që shtrihet në një afat kohor të arsyeshëm”, është shprehur presidenti francez. Ai ka rikujtuar, se tashmê Bashkimi Europian ka modernizuar procedurat e negociatave të anëtarësimit përmes metodologjisë së re të zgjerimit tê BE-së.

“Por ne e dijmê, që Europa aktuale reale, me rregullat e saj të funksionimit, nuk mund të bëhet një Europë me 31, 32 apo 33 anëtarë. Kjo nuk është e vërtetë. Ne do të gënjenim veten tonë nëse nuk pranojmë këtë” ka thënë Macron. Ai ka shpjeguar, se Bashkimi Europian duhet të rimendojë rregullat e funksionimit të tij për t’a bërë atë një organizatë që funksionon më me qartësi, më me efikasitet, si dhe më të lexueshme në të ardhmen.

Presidenti Macron, konsideron, se rimendimi i këtyre rregullave duhet të kryhet në kuadrin e konferencës për të ardhmen e Europës, që pritet të dalë me konkluzione konkrete në muajin maj. “Por gjithashtu duhet të jemi politikisht më të sinqertë për kuadrin e Europës ku vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vendin e tyre. Ndaj ne duhet të rimendojmê rregullat tona të funksionimit dhe gjeografinë e Europës.

Për këtë arsye, konferenca pêr të ardhmen e Europës do të vijohet nga një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor, ku do të mund të flitet për kêtë temë thelbësore” është shprehur presidenti francez.

Ndërkaq, gjatë një fjalimi të ndarë para Parlamentit Evropian, Macron foli edhe për tensionet në rritje mes Ukrainës dhe Rusisë. Ai tha se shtetet e BE-së duhet të punojnë së bashku për një marrëveshje të re për stabilitetin dhe sigurinë, për të cilën më pas do të mund të diskutonin me Rusinë.

Duke iu referuar si “përpjekje destabilizuese” në kontinent, Macron, duke folur në cilësinë e kryesuesit të Presidencës së BE-së, tha se Evropa dëshiron të gjejë një përgjigje politike për konfliktin në Ukrainë.

“Siguria e kontinentit tonë është e pandashme”, tha Macron duke iu referuar Rusisë. Ai shtoi se Evropa duhet të definojë standardet e saj të sigurisë.

Macron tha se Evropa duhet ta “sjellë veten në pozicion që (standardet) të respektohen”, por nuk dha më shumë hollësi.

Më herët gjatë ditës, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që po qëndron në Kiev, paralajmëroi se Rusia mund të nisë një sulm të ri ndaj Ukrainës.

Kievi dhe Perëndimi janë të shqetësuar se Rusia është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën, pasi Moska ka grumbulluar rreth 100,000 trupa përgjatë kufirit që i ndanë këto dy shtete.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu