Presidenti francez Emmanuel Macron i është kundërpërgjigjur presidentit rus Vladimir Putin, i cili e krahasoi atë me ish-perandorin e Francës Napoleon Bonaparte.
Deklarata e Putin erdhi pas sugjerimit të Macron për të shtrirë mbrojtjen bërthamore të Francës në vendet e tjera evropiane. Putin tha se “ka ende njerëz që duan të kthehen në kohën e Napoleonit, duke harruar se si përfundoi.”
Macron iu përgjigj kësaj deklarate duke e quajtur presidentin rus një “imperialist” që kërkon të rishkruajë historinë. Ai tha: “Napoleoni kreu pushtime. E vetmja fuqi perandorake që shoh sot në Evropë është Rusia. Ai është një imperialist që kërkon të rishkruajë historinë.”
Macron gjithashtu e quajti Rusinë një “kërcënim për Francën dhe Evropën” dhe shtoi se Franca ishte “e shqetësuar në mënyrë legjitime” për ndryshimin e pozicionit të Shteteve të Bashkuara për konfliktin në Ukrainë nën udhëheqjen e Donald Trump.