21-vjeçari Erling Haaland besohet se ka një klauzolë lirimi prej 64 milionë funtesh, e cila ka tërhequr një numër të madh klubesh nga e gjithë Evropa.
Në një intervistë për gazetën gjermane ‘Sport1’, shefi Michael Zorc tha: “Fakti është se ai ka një kontratë. Por është gjithashtu një fakt, dhe nuk është sekret, se ai mund të largohet nga klubi në kushte të caktuara.
Erling dhe klubi po e trajtojnë këtë çështje në mënyrë shumë profesionale. Do të shohim se si do të ecin gjërat. Pavarësisht pandemisë, klubi nuk ka nevojë ekonomike për ta shitur atë. Ky është gjithashtu një fakt. Ne do të ulemi dhe do të shohim se si do të shkojnë bisedimet.”
Dyshja e Premier League, Man.Utd dhe Chelsea, janë dy nga shumë klubet që ndjekin nënshkrimin e Haaland. Por siç zbuloi ekskluzivisht “SunSport”, United shpreson se trajneri i ri i përkohshëm Ralf Rangnick mund ta tundojë norvegjezin drejt të kuqve të Mançesterit, duke pasur parasysh historinë e tyre së bashku. Rangnick mbikëqyri lëvizjen e Haaland nga Molde në Salzburg dy vjet më parë kur ai ishte drejtor i futbollit për skuadrën austriake.
Megjithatë, Haaland duket se preferon një lëvizje në Spanjë, sipas asaj që thotë agjenti i tij Mino Raiola. Ai pranoi se 21-vjeçari ‘e do’ Spanjën dhe ka një shtëpi atje. Agjenti i Haaland thotë: “Për momentin nuk mund të flasësh për asgjë. Nuk po flas për tregun, sepse është shumë herët. Ai [Haaland] pëlqen, e do Spanjën. Sidomos shtëpinë e tij atje. Është shumë herët për të ditur se ku do të luajë vitin e ardhshëm. Nuk është mirë të flasim as për këtë.”





