Marrëveshaj e paqes në Gaza, eksperti: Merita e gjitha e SHBA, Izraeli nuk fiton gjë

0

Eksperti i marrdhënieve ndërkombëtare, Ilir Aliaj, i ftuar në Quo Vadis të moderatores, Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka bërë një analizë të detajuar të marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Aliaj tha se i gjithë suksesi është meritë e presidentit të SHBA, Donald Trump. Sipas tij është një fitore e madhe e amerikanëve, të cilët po tregojnë forcën e tyre në diplomaci.

Pjesë nga biseda:

Aliaj: Unë besoj te paqja. Pse e lidh me zhvillimet brenda SHBA? Ne e dimë se sa i fortë është lobi hebre në botë, por duhet të shohim dhe një faktor tjetër, dhe kjo është meritë e institucioneve të diplomacisë amerikane. Unë besoj se ky është momenti i paqes. MAGA, opinionbërësit më të rëndësishëm, kanë pothuajse çdo natë opinione kundër qeverisë izraelite dhe kanë filluar deri aty sa Tucker Carlson ka prodhuar 5 dokumentarë për ngjarjet e 11 shtatorit 2001.

Laçi: Akuzon Mosadin aty.

Aliaj: Nuk e akuzon drejtpërdrejt, por hedh dyshime. Vetë presidenti Trump ka besimin e tij që duhet ndjekur kjo rrugë. Ka një koment tjetër shumë të rëndësishëm brenda MAGA-s. Diku në vitet ’90, Brzezinski shkruan një libër: Shansi i fundit i Amerikës, ku thuhet që SHBA nëse do të mbajë këtë status, patjetër s’duhet të bëjë paqe me vendet arabe myslimane. Unë nuk dua të personalizoj Trump, por besoj se institucionet amerikane kanë luajtur një lojë fantastike. Çfarë ka ndodhur? Sa ka ardhur Trump në Shtëpinë e Bardhë, bëri menjëherë marrëveshje me Hamas për lirimin e një pengu, ndaloi luftën Izrael-Iran. Detyroi Netanyahun të marrë në telefon ministrin e Katarit dhe t’i kërkojë falje, kur pak ditë më parë Netanyahu thoshte që nëse Katari mban terroristë, ne do e sulmojmë. Detyroi Netanyahun të pranojë planin e Trump. Pra, janë të gjitha këto që të kuptojmë se çfarë po luhet atje. Izraeli nuk ka fituar asgjë, ka fituar fjalë boshe.

Borakaj: Po pse i thonë “keni fituar”?

Aliaj: Duhet për momentin. Unë po të jap vetëm një fragment. Sa ka dalë deklarata e Hamasit që “ne pranojmë planin e Trump”, një senator i vjetër amerikan del me deklaratë në “X” ku thotë: “E vetmja palë që kërkon paqe në Lindjen e Mesme është Izraeli”, vetëm pak minuta më pas del Trump dhe thotë: “Erdhi Paqja!” Edhe brenda SHBA ka dy palë, por për paqen në botë po fiton pala që përfaqësohet nga Trump. Unë nuk jam dakord që konflikti në Izrael është konflikt me islamikët. Në shtator, Carlson merr në intervistë një murgeshë, e cila tregon që nga 1996 kur ka mbërritur në Gaza deri në 2024, tregon kalvarin jo vetëm të qytetarëve palestinezë të besimit islam, por thotë: “Ne nuk mbrojmë vendet e shenjta të krishterimit.” Unë besoj te paqja.