Marrëveshja e mbrojtjes Tiranë–Prishtinë–Zagreb, Vengu i përgjigjet Vuçiçit: E kotë çdo narrativë viktimizuese

0

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar në rrjetet sociale pas marrëveshjes për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Ai e konsideron këtë bashkëpunim si të natyrshëm mes tre shtetesh sovrane.

“Si aleatë kemi një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Ndaj kemi vendosur të bashkëpunojmë për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë”, tha Vengu.

Ministri i kthen përgjigje edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili e ka konsideruar marrëveshjen si “startin e një gare armatimesh”.

Vengu thotë se prej dy vitesh, Beogradi zyrtar ka ndjekur një “politikë të karriges bosh në iniciativa rajonale”. Prandaj çdo narrativë viktimizuese nga qeveria serbe, sipas ministrit të Mbrojtjes, është e kotë pasi mjafton që Serbia të lerë mënjanë pezullimin që i ka bërë vetes në mënyrë të njëanshme për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe.

Vengu thotë se në Shqipëria nuk ka pasur kurrë në histori precedentë marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dëm të fqinjëve siç kanë pasur shtete të tjera. E për këtë arsye thotë se nuk ka asnjë problem që të publikohet marrëveshja trepalëshe.

“Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karrikes boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe. Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedentë marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dem të fqinjëve, siç e kanë pasur shtete të tjera. Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen trepalëshe”, tha Vengu.

Shqipëria, Kroacia dhe Kosova nënshkruan këtë javë një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Ata thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.

Marrëveshja Tiranë – Prishtinë – Zagreb le të hapur mundësinë që asaj t’i bashkohen edhe vende të tjera. Përfshirja e Kosovës nuk shkel marrëveshjet me Serbinë pasi në 2023-shin Prishtina dhe Beogradi ranë dakord që pala serbe nuk do e pengonte Kosovën të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare.