Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët/ Robert Fico shpreh vlerësim për Melonin: Zgjidhje inovative! Mbështesim konceptin tuaj mbi vendet e sigurta të origjinës

0

ITALIA- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka pritur sot në takim zyrtar në Palazzo Chigi Kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico. Mediat italiane shkruajnë se homologët shprehën kënaqësinë për intensitetin dhe cilësinë e dialogut politik, institucional dhe të ekspertëve midis Italisë dhe Sllovakisë.

Gjithashtu bëhet me dije se një nga temat që u diskutua ishte edhe ajo e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët. Lidhur me menaxhimin e flukseve të migracionit, ata pohuan rëndësinë e luftimit të emigracionit të parregullt dhe bënë thirrje për rritje të bashkëpunimit me vendet e origjinës dhe tranzitit.

Fico shprehu mbështetjen e tij për qëndrimet italiane në kuadër të vendimit paraprak në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian mbi konceptin e një vendi të sigurt origjine. Sipas mediave në vendin fqinj, të dy vendet njohën rëndësinë e zgjidhjeve “inovative” si ajo që Italia ka nisur me Shqipërinë.

“E vlerësoj shumë qasjen pragmatike të Kryeministres suaj”, tha Robert Fico.

Po ashtu takimi u përqendrua gjithashtu në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik. Mësohet se të dy kryetarët e qeverive diskutuan mbështetjen e tyre për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe angazhimin e tyre për rindërtimin e vendit në kuadrin e Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës që Italia do të presë në korrik 2025.

Në përfundim, të dy udhëheqësit rikujtuan angazhimin e tyre për një Lindje të Mesme të qëndrueshme dhe paqësore. Ata bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës.