Masakra e 1997 në Berat/ I lidhën me tela me gjemba, torturuan dhe i dogjën! Vëllai 13 vjeç i njërit prej viktimave pa gjithçka! Ja dëshmia e tij!

0

Masakra e 1997
Më 2 qershor 1997, në shenjë hakmarrje për një të afërmin e tyre që akuzohet për vrasje dhe grabitje me armë, “Banda e Vakëfit”, ka rrëmbyer në lagjen “Kushtrimi” Eduart Pemën dhe Arjan Avdullain, duke i lidhur me tela me gjemba në një ambient në periferi dhe më pas torturuar gati për vdekje. Më 3 qershor, në mënyrë publike i kanë tërhequr të dy zvarrë në rrugët e qytetit që të terrorizonin edhe qytetarët, me dëshmitarë të shumtë. I kanë lënë në sheshin e lagjes së tyre duke i shkrumbuar me zjarr, teksa njëri ishte ende i gjallë. Sikur të mos mjaftonte kjo, i kanë sharruar edhe me plumba dhe më pas janë larguar

“Banda e Vakëfit” Berat përbëhej nga
Byniamin Hajro (Bujo Çami)
Kudret Zhuka, 49 vjeç,
Kastriot Frashëri, 45 vjeç,
Gazmend Hoxha, 41 vjeç
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Beratit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në përfundim të hetimit, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Byniamin Hajron, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal ndaj viktimave Eduart Pema dhe Arjan Avdullai, në vitin 1997 dhe dënimin e tij me 25 vjet burgim.

Në kuadër të procedimit penal nr. 175 për vrasjen e dy shtetasve më 03.06.1997, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, ka prova të mjaftueshme se i pandehuri Byniamin Hajron, ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.

Nga hetimet rezultoi se i pandehuri, shtetasi Byniamin Hajron, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, pasi i kanë rrëmbyer viktimat Eduart Pema dhe Arjan Avdullai, i kanë futur në një garazh dhe i kanë tortuar duke i goditur me mjete të forta, me armë zjarri dhe duke i djegur ata të gjallë, duke iu shkaktuar kështu vdekjen. Pas torturave, autorët e veprës penale i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytet.

Prokuroria provoi se i pandehuri Byniamin Hajron, ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim (dy herë), parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal dhe ka kryer veprën penale duke qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit.

Sa më sipër u arrit në përfundimin se shtetasi Byniamin Hajron, me veprimet e tij të kundërligjshme ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i Kodit Penal.
Ka qenë dëshmia e vëllait të vogël atëherë vetëm 13 vjeç të Eduard Pemës që zbuloi autorët e një ndër masakrave më të rënda të ndodhura në 1997 në Berat. Dy të rinj, Eduard Pema dhe Arjan Avdullaj u rrëmbyen u lidhën me tela me gjemba, u torturuan, u tërhoqën zvarrë me makinë dhe u dogjën të gjallë në sheshin e lagjes ‘Vakëf’ të Beratit. Krimi i rëndë kishte si motiv konfliktet mes bandave të armatosura në Berat, ku dy viktimat ishin pjesë e grupit të ashtëquajtur banda e “Evgjitëve”.

27 vjet më pas, (nëntor 2024) prokuroria e Beratit kërkon dënimin me 25 vite burg të Byniamin Hajron, të cilin e akuzon se ka pasur rolin e organizatorit dhe ekzekutorit. Shqiptarja.com ripublikon dëshminë e plotë të djalit atëherë 13 vjeçar, dëshmi e cila është publikuar në gazetën print shqiptarja.com të 6 korrikut 2024

DËSHMIA E PLOTË

Ka qënë data 02.06.1997 rreth orës 17:00 të mbasdites unë kam qënë së bashku me vëllain Eduart Pema, duke ndenjur në tortuarin e rrugës që të çon në lagjen “Vakëf” afër spitalit “Befotrof”. Në këtë kohë aty vjen nga lagjia “Vakëf” një makinë veturë e tipit Benc ,ngjyrë e bardhë me targa Berati, numrat nuk I kam të fiksuar. Sa mbërritën në drejtimin para nesh me shpejtësi personi që drejtonte këtë mjet e kthen me drejtimin nga erdhi dhe ndalon para këmbëve tona. Sa ndalon prej saj zbresin 4 persona, sa zbritën unë arrita t’i njihja menjëherë, këta ishin: Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha, të gjithë banorë të lagjes “Kushtrim”. Të gjithë personat kur zbritën nga makina pashë që në duar mbanin automatik kallashë. Këta persona I thonë Eduartit futu në makinë. Eduarti nuk kundërshtoi, por u fut në makinë menjëherë, u ulë në sediljen mbrapa midis Gazmend Hoxhës dhe Kastriot Frashërit. Makina iku në drejtim të shtëpisë së Byniamin Hajro. Unë nuk reagova pasi në atë kohë unë isha vetëm 13 vjeç, por shkova në shtëpi dhe njoftova prindërit.

Pjesëtarët e familjes u shqetësuan shumë,por duke pasur parasysh me kë kishin të bënin nuk bënë asnjë veprim konkret, pasi policia nuk funksiononte. Mbas gjysëm ore, u shqetësova që nuk po vinte vëllai dhe u nisa për të shkuar drejt shtëpisë së Byniamin Hajro dhe tek garazhdi i shtëpisë pashë Eduartin të lidhur me tel me gjemba me duar mbrapa të shtrirë në tokë dhe që të katër personat që e muarrën villain po e qëllonin me qytë automatiku. Në momentin që ata po qëllonin me qytë Eduartin tek garazhdi për rreth që shikonin këto veprime kishte dhe persona të tjerë, por unë nuk i njihja këta.

Fjetëm gjumë me idenë se vëllai do kthehej në shtëpi gjatë natës, por kjo nuk ndodhi….

Në mëngjes rreth orës 06:00 u ngrita dhe menjëherë shkova tek garazhdi Byniaminit për të parë nëse ishte vellai aty apo jo. Afrohem rreth 5 metra larg garazhdit, dera e garazhdit ishte e hapur, brenda tij pashë Bynaimin Hajro, Kudret Zhuken, Kastriot Frashërin dhe Gazment Hoxhën. Të shtrirë në dyshemenë e garazhdit të lidhur me tela me gjemba pashë vëllan tim Eduartin dhe Arjan Avdullan. S’kaloj as dy tre minuta mbasi unë mbërrita aty, të katër personat lidhën me një tel, tek ganxha e rimorkimit nga mbrapa, të një makine “Golf” me ngjyrë si gri, dy trupat e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullajt. Mbasi I lidhën të katër personat hypën në makinë dhe nisen drejt sheshit të lagjes “Vakëf”, dy kufomat I tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çonte në sheshin “Vakëf”. Unë nuk ju ndava nga mbrapa makinës që i tërhiqte këta zvarrrë deri te sheshi. Aty makina ndaloi e zbritën të gjithë me automatikë në dorë.

Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha shkuan dhe zgjidhen telin tek ganxha e makinës dhe nxjerrin prej saj një shishe qelqi e me lëngun që kishte ajo spërkatën dy trupat e Eduartit dhe të Arjanit. Ata i vunë flakën. Trupat muarën flakë dhe në këtë moment Arjan Avdullaji ngrihet në këmbë dhe filloi t’i shante të katërt. Në këtë kohë Gazmend Hoxha gjuajti me automatik me breshëri drejt Arjan Avdullajt dhe e la të vrarë në vend. Vëllai im duhet të ketë vdekur më parë pasi nga flakët s’ka reaguar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu