GREQI- Detaje të reja janë zbardhur nga përballja e 40-vjeçarit, Pandeli Nakoleci me vajzën e tij në gjykatën greke, pasi i vrau më thikë nënën e saj.
Që në momentin e arrestimit, 24 orë pas krimit, autori i vrasjes së 36-vjeçares, Marjola Nakoleci në Volos, ka fajësuar viktimën se e tradhëtonte. Sipas tij kjo ishte dhe arsyeja që e shtyu ta vriste.
Në seancën e djeshme gjyqësore, ku ndaj tij u ngrit akuza për vrasje, ai i ka thënë vajzës se ishte “i hutuar dhe nuk kisha ndërmend ta bëja”. Raportohet se më pas e ka pyetur “A e di nëse nëna jote po më tradhtonte?”
Ditën e djeshme, zyra e prokurorit grek urdhëroi një hetim social për fëmijët e mitur të çiftit se ku duhet të çohen. Deri më tani, ata po qëndrojnë me të afërmit e nënës.
Pas vrasjes së 36-vjeçares, Marjola Nakoleci, autori u fsheh për më shumë se 24 orë, duke u përpjekur t’i shpëtojë arrestimit. Por ditën e djeshme, ai u gjet i fshehur në barin e një parcele toke, rreth 200 metra larg shtëpisë së tij, në një parking të vjetër.
Dëshmitarë okularë dhe fqinjë raportuan se gjatë arrestimit ai po i bërtiste policisë se e kishte vrarë gruan e tij sepse ajo po e tradhtonte. “I bëra mirë. Ajo e meritonte këtë. Nuk pendohem për asgjë”, dyshohet se ishin fjalët e para të vrasësit 40-vjeçar.
40-vjeçari mbante veshur rroba të ndryshme nga ato që mbante veshur gjatë vrasjes, të cilat dyshohet se i ka gjetur në kazanët e plehrave. Ndërkohë, as telefon celular dhe as thikë nuk iu gjet me vete.
Nesër pritet të kryhet autopsia-autopsia e 36-vjeçares nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore i Selanikut, ku trupi i saj është transferuar tashmë.





