Mashtroi të riun për t’i marrë 10 mijë lekë, dënohet me 1 vit burg 15-vjeçarja në Tiranë

0

TIRANË- Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund shqyrtimit të një rasti “gjobëvenieje” në Tiranë, që ka si protagoniste një të mitur, vetëm 15 vjeçe. E reja është shpallur fajtore për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” ndaj një djali 8 vjet me të madh në moshë, të cilin e shantazhoi përmes një bisede intime në rrjetin social Snapchat, raporton A2CNN.

Gjykata e Tiranës vendosi që e pandehura minorene me iniciale E. K. u dënua me 1 vit burg, por nuk do të shkojë asnjë ditë në qeli, pasi në përfundim gjykata vendosi lënien e saj në Shërbim Prove për një periudhë 16-mujore. Referuar vendimit të gjykatës, në shtator të vitit të kaluar, e mitua ka filluar një komunikim në Instagram me 23-vjeçarin, që futi më pas në kurth. Në kallëzimin e tij, i riu ka treguar se biseda është zhvendosur në rrjetin social Snapchat dhe ka pasur natyre të ngacmimeve seksuale.

Sipas tij, gjithçka është ndërprerë kur bashkëbiseduesja i ka thënë se ishte 15 vjeç. Por disa orë më vonë, nga e njëjta adresë atij i ka shkruar një person që i është prezantuar si vëllai i të miturës. Duke i thënë se ishte punonjës policie, ai i ka kërkuar 10 mijë lekë të rinj, në këmbim të mosdenoncimit të tij për “ngacmim seksual” ndaj të motrës së mitur.

Para se të shkonte në vendin e lënë për dhënien e parave, pranë 9-katësheve në Tiranë, i riu kallëzoi rastin në polici dhe dhënia e parave ndodhi në sy të agjentëve. Sipas vendimit të gjykatës, në vendin e takimit, shuma e 10 mijë lekëve të rinj është marrë nga një vajzë, që rezultoi të ishte e mitura 15-vjeçare. Gjatë hetimit, e pyetur në prani të psikologëve, ajo ka shpjeguar se kishte vepruar e vetme, pa person tjetër pas saj dhe se bisedat me 23-vjeçarin i kishte bërë për ta larguar atë dhe jo për të përfituar para prej tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu