Teksa na ndajnë disa orë nga nisja e protestës së paralajmëruar për tu mbajtur sot, në selinë e Partisë Demokratike po zhvillohet një takim.
Mësohet se mbledhja është thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, i cili po diskuton me drejtuesit politikë për skenarët e këtij tubimi. Mësohet se dy janë skenarët në lidhje me atë se çfarë pritet të ndodhë ditën e sotme.
Fillimisht protestuesit do të mblidhen te Kryeministria, ku priten fjalime politike nga organizatorët, e po ashtu tensione për shkak të kordonit që do të krijojë policia përreth godinës së institucionit. Pas kësaj protestuesit priten të shpërndahen në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke bllokuar qarkullimin në sa më shumë segmente.
Skenari tjetër i diskutuar është ai i lëvizjes me një intinerar të caktuar i të gjithë personave pjesëmarrës së bashku, nga Kryeministria drejt ministrive e më tej drejt rrugëve kryesore, një panoramë tashmë e parë në protestat e organizuar nga “Rithemelimi”, për vendosjen e Sali Berishës në “Arrest shtëpie”.
Skenarët dhe plani po mbahen sekret dhe PD është treguar shumë diskrete në mënyrë që informacioni të mos mësohet nga policia.