Mbesa e “usta Muratit” që i këndohet edhe sot kënga, rrëfen ditët e fundit të dajës: I rrodhën lotët kur më pa

0

“Usta Muratin” e njohim të gjithë nga kënga e famshme e cila rrëfen pikërisht për një kuzhinier nga Shkupi që u vendos në Kavajë dhe u bë i njohur me byrekët e tij. Mbesa e Murat Lamës, autorja Nexhi Baushi tregon në programin “Rudina” në Tv Klan historinë e dajës së saj dhe kujtimet me të.

Ajo tha se fillimisht ai u ndie në siklet nga kënga që iu dedikua dhe u zhvendos në Prizren, por më pas u rikthye në Kavajë. Murat Lama ndërroi jetë rreth moshës 70-vjeçare në Kavajë dhe mbesa risjell në mendje moment e tij të vështira me sëmundjen.

Nexhi Baushi: Ai me të vërtetë vdiq me një sëmundje jo të mirë sepse vetë profesioni i kuzhinierit lë pasoja, avujt e kuzhinës e me radhë, i iku dhe zëri, unë e mbaj mend disa ditë para se të vdiste, unë vajta në Kavajë, e pashë. Ishte shtrirë në spital dhe kur më pa mua i rrodhën lotët dhe mua më ka ardhur jashtëzakonisht keq sepse ato lot m’u dukën shumë të rënda. Megjithatë ai ishte shumë punëtor, shumë i dashur, e kalonte edhe vështirësinë, donte që në sy të tjerëve t’i kalonte me lehtësi por ai e di vetë sesa kishte vuajtur.

Sipas informacioneve, Murat Lama lindi në Shkup më 3 qershor 1912 ku jetoi derisa u martua. Bashkë me familjen, u vendos në Kavajë dhe nisi të ushtronte zanatin e kuzhinierit ku u shqua për shumëllojshmërinë e gatimeve dhe sigurisht, byrekun. Kënga e dedikuar atij është krijuar nga miku i ngushtë i Muratit, Sulejman Perçemi.

Nexhi Baushi: Sulejman Perçemi ishte një poet popullor i Kavajës dhe duke qenë se në Kavajë vetëm dyqani i usta Muratit ishte një nga dyqanet më të preferuara se ai nuk ishte vetëm kuzhinier, ishte edhe pastiçier, kishte edhe bulmetin, pati punishtet e tij, me pajisjet që kishte marrë nga Italia e perfeksionoi dhe gjithë ëmbëlsirat që bënte , ai i bënte sipas stilit italian, ndërsa kuzhinën e kishte ballkanase dhe me traditë të Shqipërisë. Ai për herë të parë solli asortimentin e byrekut në Kavajë nga Shkupi, meqenëse Shkupi ishte i dëgjuar për bërjen e këtyre byreqeve.

Mbesa e përshkruan usta Muratin si “trupgjatë, mjaft fisnik, me mustaqe”, tipar që spikat edhe në foton që ajo ka sjellë. Sa i përket përputhjes me usta Muratin në këngë dhe kuzhinierin, ka mjaftueshëm detaje që e konfirmojnë. Por kjo këngë fillimisht e vendosi në siklet usta Muratin që u shpërngul në Prizren.

Nexhi Baushi: Dyqani ka qenë në qendër, ashtu siç thotë kënga. Është përbri kinemaja që i thonë ‘sinemaja’ në atë kohë.

Rudina Magjistari: Po selvia? Se aty i thonë selvia dhe ne e lidhim me “Selvinë” e Tiranës.

Nexhi Baushi: Jo, aty ka qenë sahati, ka qenë një selvi dhe ka qenë edhe xhamia.

Rudina Magjistari: Ka pasur një selvi.

Nexhi Baushi: Ka pasur një selvi, por është e prerë. Ky ia nxori këngën, por nga dalja e kësaj kënge, ky ngaqë i vinte zor, ai ishte i punës, punonte nga ora 5 e mëngjesit deri në 10 të darkës dhe mendoi se ‘mos më mburrin mua kështu që më nxjerrin këtë këngën?’ Dhe u nis e shkoi në Prizren.

Në Prizren, kënga ‘e përndoqi’ dhe usta Murati nisi të qeshte kur e dëgjoi. I pyetur për arsyen, ai tregoi se ai ishte personi që i ishte kushtuar kënga dhe e ndieu si detyrim që duhej të rikthehej në Kavajë e nuk u zhvendos më.

Kënga ka pësuar një ndryshim në një frazë pasi nuk është “më e mirë e ëma se e bija”, por “në punë e ëma dhe e bija”. Mbesa ndan edhe disa kujtime me dajën e saj.

Nexhi Baushi: Unë dajën e mbaj mend vetëm me atë grykësen e bardhë dhe përparësen e bardhë të pastër, shumë i dashur, kishte një humor të hollë, kishte një klientelë mjaft të zgjedhur, por edhe populli. Ndihmonte shumë, sidomos në rastet e festave të Pashkëve apo Bajrami, ai falte. Ka hapur edhe një punishte për qumështin që furnizonte gjithë qytetin me qumësht dhe artikuj të tjerë si kosi dhe gjalpi.