Opozita në Kosovë reagoi ashpër pas anulimit të mbledhjes qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, e planifikuar të mbahej sot në Gjakovë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës , Memli Krasniqi, i ra këmbanave të alarmit për situatën në të cilën ndodhet vendi, duke e drejtuar gishtin e fajit nga Kurti.
Për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kosova po hyn në rrugën e izolimit dhe të vetmisë.
“Këtë herë, si asnjëherë më parë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbetemi pa cdo aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë. Kjo s’është Kosova që e kishim menduar ndonjëherë”,u shpreh ai.
Abdixhiku la të kuptohet se kursi i përplasjes me Perëndimin rrezikon vetë shtetësinë e Kosovës.
“Në vend që të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, si lider që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor. Kosovës i duhen miqtë. Kosovës i duhen partnerët strategjik”, ishte mesazhi i tij.
Vetë Rama paralajmëroi më herët se kishte kërkuar pak më shumë kohë.
“Por nëse nuk e shfrytëzojmë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do vihet në lëvizje”, tha ai.