Një gjykatë në Itali ka hedhur poshtë një kërkesë nga pasardhësit e mbretit të fundit të vendit për të kërkuar xhevahiret e kurorës mbretërore.
Siç theksoi gjyqtari, thesaret kombëtare mbeten pronë e shtetit, ndërsa e përshkroi kërkesën si “qartësisht të pabazuar“.
Në shkurt të vitit 2022, pasardhësit e monarkut të fundit të Italisë paditën shtetin italian për të kërkuar bizhuteritë, të cilat kanë qenë në një kasafortë në Bankën e Italisë që nga viti 1946.
Pasardhësit e Mbretit Umberto II i Savojës nuk kanë arritur një marrëveshje me Bankën për kthimin e bizhuterive, të cilat përfshijnë më shumë se 6,000 diamante dhe 2,000 perla, gjerdanë dhe diadema të veshura nga princeshat dhe mbretëreshat gjatë jetës 85-vjeçare të monarkisë italiane. Vlera e tyre vlerësohet në 300 milionë euro, raporton A2 CNN.
Umberto i kishte kërkuar ministrit të atëhershëm të shtëpisë mbretërore që t’ia transferonte bizhuteritë guvernatorit të atëhershëm të Bankës së Italisë për ruajtje.
Bizhuteritë thuhet se kanë qenë e vetmja pjesë e pasurisë mbretërore që nuk u konfiskua nga shteti italian pas heqjes së monarkisë në vitin 1946. Për këtë arsye, ish-familja mbretërore shpresonte t’i rimerrte në zotërim.
Pas vendimit, avokati i pasardhësve të mbretit njoftoi se ata do të apelojnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa i kërkon shtetit italian t’u kthejë vlerën e të gjitha pronave që dikur i përkisnin mbretit të fundit të Italisë.