Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss tha të shtunën se Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë rreth 2.64 milion dollar për furnizime ushqimore në zonat e rrethuara nga forcat ruse. Sipas CNN, kjo erdhi pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga qeveria ukrainase për furnizimin me ushqim të qytetarëve ukrainas.
“Ky dhurim jetik i ushqimeve dhe furnizimeve do të ndihmojë në mbështetjen e popullit ukrainas përballë pushtimit barbar të Rusisë,”-tha Truss.
Truss tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nga fillimi i javës së ardhshme do të bashkëpunojë me Poloninë dhe Sllovakinë për të ofruar ushqim të konservuar dhe ujë në Ukrainë. Afërsisht 25 kamionë me furnizime pritet të transportohen në rrugë dhe hekurudha për komunitetet në nevojë.
Sipas njoftimit për shtyp, dhurimi vjen si pjesë e 400 milionë paundëve (rreth 528 milionë dollarë) që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë në ndihmë humanitare dhe ekonomike.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha të shtunën në përditësimin e saj të inteligjencës se Rusia vazhdon të rrethojë disa qytete të mëdha të Ukrainës, duke përfshirë Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol.