Mediat greke kanë publikuar videon që dokumenton shpejtësinë marramendëse të makinës që tërhoqi zvarrë dhe vrau një 47-vjeçar në Selanik. Siç shihet në video, ora është katër minuta para mesnatës së së shtunës, kur makina luksoze e drejtuar nga 21-vjeçari shqiptar kalon me shpejtësi të lartë në rrugën Georgiou Papandreou në Selanik dhe pak sekonda më pas vret shpërndarësin e picave. Pamjet janë regjistruar nga një kamera sigurie e dyqanit. Disa kalimtarë që ndodheshin në rrugë nxitojnë për t’i dhënë ndihmën e parë personave të përplasur por 47 vjeçari humb jetën në vend.
21-vjeçari me origjinë shqiptare makinën e shpejtë dhe shumë të shtrenjtë e kishte marrë hua nga kushëriri i tij. Shqiptari nuk kishte patentë dhe pas testeve të kryera rezultoi se nuk ishte i dehur në momentin e aksidentit . Nëna e viktimës u shpreh se shoferi 21-vjeçar ka kaluar semaforin e kuq dhe se shpejtësia me të cilën ai drejtonte ishte shumë e madhe. Shqiptari fillimisht u largua nga vendi i aksidentit, por më pas u kthye dhe u dhe u arrestua.
Por ditën e sotme 21-vjeçari u la i lirë, ndërsa hetuesit duan të dinë nëse drejtuesi i mjetit ka shkelur semaforin e kuq dhe nëse në momentin e aksidentit ka qenë duke garuar me ndonjë makinë tjetër.