“Më mirë po e le fare, edhe pse do doja të kisha shkruar ndonjë gjë”,nga Kejvin Kalo

0
Nga Kejvin Kalo

Ndodhin kaq shumë gjëra në vendin tim, në vendin tonë, çdo ditë, sa ndonjëhere vras mendjen a ja vlen të habitesh më apo të pyesësh “pse”. E keni parasysh, nga ato gjërat që ndoshta në një vend tjetër, vend normal, nuk kuptohen dot. Pikërisht nga ato gjërat që nxisin fantazinë e gazetarëve të portaleve të shkruajnë tituj që nisin me: Bombastike, Fantastike, Magjike, Tragjikomike dhe që përfundojnë si ushqim për bisedat e rëndomta të kafeneve, nga të cilat e vetmja gjë që nuk përhapet është virusi.

Këto gjërat, të cilat ndodhin me ritmin që Bledi Mane shtyp tastierën për trapllëqet e tij të një pas njëshme, më nxitën edhe mua të shkruaja sepse doja të thoja një gjë. Kështu, nisa të mendoja se për çfarë të flas më parë në këtë shkrim.

Për shembull, desha të shkruaja një gjë për fushatat zgjedhore të këtij viti, si PS-ja e ka bazuar të gjithën te shtëpitë e rindërtuara me lekë borxh nga tërmeti dhe 300 vaksinat që ka siguruar, ndërsa PD-ja te Instagrami i bashkëshortes së Bashës. Por po e le fare më mirë…

Pastaj desha të shkruaja edhe një gjë për këtë vaksinimin e personaliteteve, jo pse u bë, por mënyrën si e tha kryeministri jonë a ka gjysëm-Zoti, gjysëm-shkencëtari, gjysëm adm-ja i faqes së meme-ve më të madhe në Shqipëri. Po s’ja vlen, po e le fare…

E mira do ishte të kisha shkruar një gjë edhe për faktin që në një pandemi që duket se nuk po mbaron kurrë, shqiptarët e thjeshtë, politika dhe sistemi i drejtësisë kanë zgjedhur t’i bien atyre që kemi si “ujët e pakët”, doktorëve. Megjithatë varja, po e le fare…

Meqë jemi te doktorët, mendova të shkruaja diçka për Prof.Piperon, në lidhje me sugjerimet e tij për të mbyllur për një farë kohe shkollat dhe baret të gjjtha, po pastaj u kujtova që sapo ka kaluar koronavirusin (fatmirësisht jo rëndë) dhe e lashë fare, se mendimet e tij nuk duhet të jenë shumë të kthjellta për momentin…

Ah po, doja të shkruaja një gjë për Melisën e “Për’puthen” se kishte bërë këngë. Gjithsesi pastaj e lashë se jo vetëm që nuk kam fjalë për të, po realisht nuk i plas tr*pi njeriu. Shumë realisht.

Në një moment thashë të shkruaja ndonjë rresht në lidhje me showbiz-in. Gjithsesi e lashë, se të njejtat gjëra do ndodhin edhe javën tjetër, vetëm ndryshojnë personazhet, kështu që ç’e deshëm…

Ore mund të shkruaja edhe ndonjë analizë ekonomiko-politike, si tashmë qendra e botës është bërë boshti Pekin-Moskë dhe Perëndimit po i fut “ujë varka”, sidomos në këto kohë kovidiane. Po e lashë edhe këtë se thashë kush rri duron komentet “njerëzit janë me listë te dyqanet, ti flet për qendrën e botës”.

S’do ishte keq të shkruaja ndonjë gjë edhe për faktin që NASA ka çuar një robot në Mars, hapi i radhës para se të nisin nje mision me njerëz atje, por mendova ta le derisa në Vlorë të ketë ujë 24 orë, kështu që edhe për 4 vite nuk do flasim për hapsirën.

E di çfarë? Më mirë po e le fare, edhe pse do doja të kisha shkruar ndonjë gjë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu