Produktet “Made in Albania” vijojnë të shënojnë sukses në arenën ndërkombëtare. Në panairin Gulfood 2026, një nga ngjarjet më të mëdha globale të industrisë ushqimore dhe të pijeve, që po zhvillohet në Dubai, kompanitë shqiptare po prezantohen me dinjitet, duke tërhequr vëmendjen e tregjeve ndërkombëtare.
Prej disa ditësh, bizneset shqiptare janë aktive në panair dhe ndodhen aktualisht në ditën e tretë të ekspozimit, duke ngjallur interes të konsiderueshëm nga blerës, distributorë dhe vizitorë profesionistë nga Lindja e Mesme, Azia, Evropa dhe Amerika e Veriut.
Një nga kompanitë përfaqësuese shqiptare, Musai Olive Oil, është vlerësuar me medalje ari në konkursin ndërkombëtar “Olive Oil Competition”, një nga garat më prestigjioze të vajit të ullirit që zhvillohet në kuadër të panairit Gulfood, ku marrin pjesë prodhues nga e gjithë bota.
Menaxheri i projektit në International Trade Centre (ITC), agjenci e Kombeve të Bashkuara, Genti Beqiri, bëri të ditur se ky vlerësim konfirmon cilësinë e lartë të vajit të ullirit shqiptar dhe kontribuon në rritjen e profilit të Shqipërisë si vend prodhues i produkteve agroushqimore premium.
Gjatë panairit, stenda shqiptare është vizituar edhe nga përfaqësues të qeverisë së Dubait dhe institucioneve lokale, çka dëshmon interesin në rritje për produkte autentike, të certifikuara dhe me origjinë të qartë nga rajone me potencial të lartë bujqësor.
Panairi Gulfood mbledh çdo vit mbi 5,000 ekspozues nga më shumë se 120 vende dhe tërheq rreth 150,000 vizitorë profesionistë, duke u konsideruar si një nga platformat më të rëndësishme globale për industrinë ushqimore.
Sipas Beqirit, prania dhe suksesi i kompanive shqiptare në këtë panair përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të markës “Made in Albania” dhe rritjes së eksporteve në tregje me vlerë të lartë. Ai theksoi se investimi në cilësi, standarde ndërkombëtare dhe promovim të qëndrueshëm po sjell rezultate konkrete për sektorin agroushqimor shqiptar.







