Mediat italiane: Po sikur në Shqipëri të ndërtohej një central bërthamor për Italinë?

0

ITALI- “Po sikur në Shqipëri të ndërtohej një central bërthamor për Italinë?” Në mediat italiane ka nisur të qarkullojë lajmi se në Shqipëri mund të ndërtohet më kërkesë të qeverisë italiane një central bërthamor.

Spekulimet u publikuan në faqen italiane të lajmeve “Staffeta Online”, ku thuhet se “ideja, e cila është gjithashtu në përputhje me prirjen e qeverisë italiane për të transferuar çështje delikate si emigracioni përtej Adriatikut, aktualisht po qarkullon si shaka (por jo shumë), pas vizitës së kryeministres Giorgia Meloni në Abu Dhabi.”

Atje, Meloni së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, nënshkruan marrëveshjen trepalëshe për lidhjen e kabllove nënujore energjetike.

Lidhur me ngritjen e një centrali bërthamore ka shkruar dhe ANSA. Në artikullin e saj, thuhet se një projektligj që rikthen projektet e prodhimit të energjisë bërthamore ka mbërritur në Palazzo Chigi (selia e Këshillit të Ministrave dhe rezidenca zyrtare e Kryeministres së Italisë).

Ekzistencën e projektligjit e ka bërë të ditur edhe ministri i Mjedisit dhe Sigurisë së Energjisë, Gilberto Pichetto. Ky i fundit ka thënë se kërkesa për energji elektrike do të dyfishohet në njëzet vitet e ardhshme dhe se pa atomin nuk do të jetë e mundur plotësimi i nevojave të vendit. Sipas tij, energjia bërthamore do t’i jepte Italisë pavarësi energjetike dhe energji elektrike me kosto të ulët, si dhe do të stabilizonte prodhimin e paqëndrueshëm të burimeve të rinovueshme. Picheto ka deklaruar se Italia nuk synon ndërtimin e termocentraleve të mëdha, por për reaktorë të vegjël.

Në këtë nismë, Pichetto ka mbështetjen e Forza Italia, Lega, Azione, Italia Viva, +Europa dhe Confindustria. Partia Demokratike është skeptike, dhe nuk ka dhënë ende një qëndrim. Nga ana tjetër, Lëvizja Pesë Yjet dhe Partia e Gjelbër janë kundër saj, si dhe shoqatat ambientaliste.

Problemi më i madh është partia e Melonit “Vëllezërit e Italisë”. Partia është e ndarë midis nuklearistëve dhe anti-nuklearistëve. Ideja e qeverisë për t’u rikthyer në energjinë bërthamore deri më tani nuk ka ngjallur kundërshtime të mëdha popullore.

Por nuk mund të përjashtohet mundësia që, pasi ligji të jetë miratuar, mund të mbahet një referendum për shfuqizimin e tij. Për të mos folur për protestat “nimby” për vendndodhjen e termocentraleve. “Nuk është për t’u habitur që faqja Staffetta Quotidiana ka hedhur hipotezën se impiantet e reja mund të ndërtohen në Shqipëri dhe të lidhen me Italinë me një kabllo nëndetëse.”, shkruan ANSA.