Kryeministrja italiane së fundmi është vendosur në qendër të vëmendjes edhe për shkak të ndarjes së saj nga bashkëshorti, me të cilin kishte një marrëdhënie 10-vjeçare.
Por duket se taleshet nuk kanë fund për Melonin, e cila ka rënë pre e një kurthi nga 2 komedianë rusë para takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Fillimisht komedianët janë vënë në kontakt me këshilltarin diplomatik të Melonit, ku njëri prej tyre është prezantuar si president i Komisionit të Bashkimit Afrikan.
Meloni teksa po bisedonte, duke menduar se pas telefonit ishin zyrtarët në fjalë, në një moment theksoi; “ka shumë lodhje nga të gjitha anët” për konfliktin në Ukrainë dhe “po afron koha kur të gjithë do të kuptojnë se na duhet një rrugëdalje”.
“Kam disa ide se si ta trajtoj këtë situatë”, shtoi kryeministrja e Italisë Meloni, “por jam duke pritur momentin e duhur për t’i vënë ato në tryezë”.
Por këshilltari diplomatik i Melonit nuk e ka marrë me sportivitet lojën, duke thënë se shpreh keqardhje lidhur me incidentin. Ndërkohë që anëtarët e partisë së saj e konsideruan të gjithën si ‘propagandë e dëshpëruar ruse’.