Mentor Kikia: Berisha do karrigen e kryetarit dhe Basha kundër të gjithëve

0

Mentor Kikia:

Hapen letrat, Berisha do karrigen e kryetarit dhe Basha kundër të gjithëve

Letrat janë hapur. Për këdo që mund kishte ndonjë dyshim se Sali Berisha e ndezi luftën brenda PD-së për parime dhe moral, ai vetë sqaroi se do të jetë kandidat për kryetar. Padyshim, çdo kandidim tjetër do të jetë i kotë. Përtej legjitimitetit të kongresit të jashtëzakonshëm të PD-së dhe datës së mbledhjes së tij, Sali Berisha do të dalë prej ti si kryetar i ri i PD-së, i papranuar zyrtarisht nga kryetari dhe kryesia aktuale. Pavarësisht se si do të vijojë historia, ajo që ka rëndësi sot edhe pikërisht fakti se Berisha u rikthye si një aktor politik, madje i vijës së ashpër, sikundër ka lajmëruar.

Optimizmi i shumë demokratëve të moderuar, që besonin se Berisha do të hapte vetëm procesin, i cili do të çonte në rithemelimin dhe riorganizimin e PD-së, ndërsa vetë do të qëndronte jashtë, ka rënë. Berisha kërkon as më pak e as më shumë karrigen e kryetarit. E bën për inat të Bashës? E bën për sfidë ndaj SHBA? E bën se i duhet një parti për tu mbrojtur nga s’dihet se çfarë?

Nuk ka shumë rëndësi.

Rëndësi ka që kjo shoqëri dhe mjedisi politik është kaq shterpë dhe kaq i kontrolluar, sa pas 35 vjetësh, alternativa e re për të larguar një qeverisje 12 vjeçare e me një barrë aferash mbi shpinë, është sërish Sali Berisha.

Kjo është fatale dhe tragjike për një shoqëri.

I gjëndur mes zjarresh, Basha duhet të bëjë edhe opozitën në kuvend, por edhe të përballojë furinë e Berishës. Ne këto kushte ai ka zgjedhur të ndajë frontet. Nga njëra anë, sipas tij, është treshja Berisha-Meta-Rama(trekëndëshi i Bermundës), dhe në anë tjetër është ai dhe PD. S’dihet dhe për sa kohë…

E keqja, thonë, ha vetën pasi bëhet shumë e madhe. Por këtu ajo është fryrë aq shumë dhe sërish nuk ngopet. Vazhdon të na hajë ne të tjerëve, duke majmur veten.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu