Kancelari gjerman Friedrich Merz hodhi poshtë këtë të mërkurë spekulimet mediatike mbi shëndetin e presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se nuk ka parë asnjë shenjë që udhëheqësi amerikan të mos jetë në gjendje të përmbushë detyrat e tij.
“Para së gjithash, bazuar në takimet e mia me presidentin Trump, nuk kam asnjë arsye të dyshoj për shëndetin e tij”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin, kur u pyet për raportet e fundit mediatike që vënë në pikëpyetje aftësinë e Trump-it, për të ushtruar detyrën.
“Ai do të mbushë 80 vjeç në qershor, por unë kam përshtypjen se është plotësisht i aftë të kryejë detyrat e tij”, shtoi udhëheqësi gjerman.
“Nuk kam asnjë tregues që kjo të mos jetë kështu”, tha Merz, citon AA.
Që kur u bë kancelar në maj të vitit të kaluar, Merz ka qëndruar në kontakt të rregullt me Trump.
Dy udhëheqësit janë takuar disa herë dhe kanë zhvilluar biseda telefonike të ndryshme për të diskutuar marrëdhëniet transatlantike dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare.





