Meta del nga SPAK pas 3 orësh marrje në pyetje: Jam pyetur si kundërshtar i narko-shtetit

0

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas më shumë se 3 orësh marrje në pyetje. Gjatë fjalës para gazetarëve, Meta refuzoi të përgjigjej se në çfarë cilësie ishte thirrur në pyetje, por theksoi se ishte si kundërshtar i narko-shtetit. Po ashtu, Meta në përfundim të fjalës së tij hodhi akuza dhe ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryeprokurorit Altin Dumani, që sipas tij është duke mbrojtur Ramën.

“SPAK është kthyer falë Dum Dumanit në një parti bashkëqeverisëse të Edi Ramës. Unë jam pyetur 3 orë kot më kot për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprime të të tjerëve, të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK. Unë jam pyetur në cilësinë e kundërshtarit të këtij narkoshteti dhe këtij narkoregjimi që e mban në këmbë Dum Dumani, i cili në vend që të hetojë McGonigal të cilin e ka takuar ai dhe prokurorë të tjerë, në vend që të ndalojë Edi Ramën, inceneratorin, të ndalojë aferën e Portin e Durrësit të gjitha ato PPP që janë rrjedhja më e madhe financiare e këtij vendi merret me përrallat e laraskave të tij”, tha Meta.

Ditën e djeshme për dosjen e hetimit pasuror ishte thirrur në SPAK dhe bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi. Hetimet e SPAK për Kryemadhin nisën për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, pa emër personi të dyshuar, pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, që akuzoi partinë e drejtuar asokohe nga Ilir Meta, se ka paguar 700 mijë dollarë për lobimin në SHBA, përfshirë vizitat në SHBA edhe një foto me ish-presidentin republikan Donald Trump.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu