Presidenti Ilir Meta ndodhet në Prishtinë, ku edhe mbajti një ligjëratë me temë “Shqiptarët, si faktor stabiliteti në Ballkan”, ndërsa gjatë fjalës së tij komentoi edhe nismën për “Open Ballkan”. Në fjalën e tij, kreu i shtetit Meta tha se kishte edhe dy rezerva për këtë proces, teksa u shpreh se bashkimi nuk duhet të bëhet përmes politikave përjashtuese.
“Duhet t’i shmangemi çdo tentative për t’i personalizuar raportet e pazëvendësueshme Shqipëri-Kosovë. Nuk mund të jetojmë me iluzionin që ajo po shohim të ndodhë në Serbi apo Bosnje, nuk ka ndikim te ne. Duhet të jemi të vendosur për të refuzuar çdo flirt anti europian. Shqipëria do të përmbushë angazhimet e saj si vend anëtar i NATO-s. Rezerva e parë që kam për Open Balkan është parimore. Bashkimi nuk mund të ofrohet përmes politikës përjashtuese. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur e parcelizon bashkëpunim vetëm në tre vende dhe duket sikur i jepet Serbisë kundrejt një sjellje më të balancuar në rajon. Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviç,”-tha Meta.