Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka reaguar sërish sot në lidhje me buxhetin e vitit 2022, teksa ka dhënë një prej arsyeve se përse nuk e ka dekretuar këtë buxhet, të cilin e ktheu në Kuvend pak ditë më parë. Meta shprehet ndër të tjera se ky buxhet është antisocial. Sipas tij, me këtë buxhet rritet fondi total i PPP-ve, ndërsa për qytetarët që jetojnë me të ardhura nën 5.5 USD sjell zero rritje.
Reagimi i plotë i Presidentit Meta:
‘Buxheti 2022’ është antisocial. Rritet fondi total i PPP-ve nga 636.8 miliard lekë, në 830.9 miliard lekë. Zero rritje reale për 930,457 qytetarë, që jetojnë me të ardhura nën 5.5 USD.
Ndër argumentet e tjera të dhëna nga Presidenti Meta, ai e ka cilësuar këtë buxhet si antisocial dhe ka shpjeguar se sipas tij buxheti nuk parashikon asnjë ndihmë shtesë ekonomikë për ata 258,840 qytetarë që sipas tij jetojnë me 0.7 dollarë në ditë. Ai e quan buxhetin josuportues edhe për pensionistët në qytet që sipas tij jetojnë me 4.8 dollarë në ditë dhe për ata në fshat që jetojnë me 2.8 dollarë në ditë. Ky buxhet, sipas Metës, dëmton fermerët dhe godet prodhimin vendas, ndërsa deklaron se, qeveria ka ulur fondet për bujqësinë dhe nuk plotëson kërkesat e fermerëve që protestojnë.